Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë kundër të pandehurit me iniciale A.D, për shkak se ka kryer veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste nga neni 143, paragrafi 2 i KPK-së.
Në një njoftim për media thuhet se sipas aktakuzës, i pandehuri kishte marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist “Jabhat Al-Nusra” në Siri, gjatë periudhës kohore 18 nëntor 2012 deri më 18 maj 2013.
Nga Prokuroria bëhet e ditur se i pandehuri nga aeroporti i Prishtinës kishte ateruar në aeroportin “Ataturk” në Stambill, nga ku më pas nga aty kanë udhëtuar deri në qytetin “Hatay” në Turqi.
“I pandehuri A.D., së bashku me personat B.D., A.D., A.H. dhe B.K., me një veturë Taxi kanë udhëtuar deri në qytetin “Reyhanli” pranë kufirit turko-sirian, ku kanë qëndruar disa ditë, dhe më pas me ndihmën e një personi nga Siria, përmes rrugëve ilegale, kanë depërtuar në territorin e Sirisë, në qytetin Tall Rifat. Ndërkaq, i pandehuri A.D., është ndarë nga shokët e tij të lartcekur dhe është takuar me vëllain e tij P.D., i cili gjendej në Siri, dhe më pas janë vendosur në një kamp ushtarak, diku afër qytetit Aleppo të Sirisë, të udhëhequr nga grupi terrorist “Al Nusra””, thuhet në njoftim të Prokurorisë.
Më tej në njoftim thuhet se i pandehuri kishte marrë pjesë në konfliktin e armatosur në qytetin Aleppo dhe Qalamoun, ndërsa më 18 maj ishte kthyer në Kosovë nga Aeroporti i Stambollit në Aeroportin e Prishtinës.