Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Njësia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion njofton se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me Shyqyri Haxha, ish-kryeshef ekzekutiv i Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri, më 16.04.2010, në cilësinë e personit përgjegjës – kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojnë dëm material, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore dhe duke mos marrë aprovimin nga aksionari – Qeveria e Republikës së Kosovës, ka lidhur kontratë për faturim të ri me ç’rast i shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së, ngase e njëjta me kërkesë të Aksionarit të datës, 14.05.2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën dhe është detyruar të paguaj shumën prej 9 milionë euro si dhe shpenzime tjera të cilat janë bërë lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate, shumë e përgjithshme në vlerë prej 9.891.022,81 euro, (nëntë milion e tetëqind e nëntëdhjetë e një mijë, e njëzetë e dy euro e tetëdhjetë e një centë).
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë. /Telegrafi/