Prokuroria Publike Themelore e Strugës ka ngritur aktakuzë kundër zyrtarit – kryetarit të Komunës së Strugës për veprën penale – Punë e papërgjegjshme, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Siç informojnë nga atje, “i akuzuari me vetëdije ka shkelur dispozitat ligjore me rastin e emërimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit në një shkollë fillore komunale në fshatin Radolishtë”.
“Ndonëse Ligji për Arsimin Bazë përcakton se ushtruesi i detyrës së drejtorit zgjidhet nga radhët e punonjësve të shkollës që plotësojnë kushtet për drejtor, me datë 12.01.2022 i akuzuari caktoi një person që nuk i plotësonte këto kushte si ushtrues detyre të drejtorit të shkollës në Radolishtë, d.m.th. nuk kishte përvojë pune së paku pesë vjet në punë arsimore.
Personi i emëruar ka ushtruar detyrën e drejtoreshës së shkollës në periudhën prej datës 12.01.2022 deri më 31.07.2023, periudhë gjatë së cilës i është paguar paga dhe kontributet si ushtruese e detyrës së drejtoreshës e cila i ka shkaktuar dëme shkollës”, thuhet në njfotim.
Kjo është aktakuza e tetë e ngritur kundër kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko./Telegrafi/