Ali Harbi Ali iu është ngritur aktakuza për vrasje dhe përgatitje të akteve terroriste pasi theri për vdekje deputetin britanik Sir David Amess.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, 25-vjeçari u arrestua pas sulmit që ndodhi në Leigh-on-Sea, Essex, të premten e kaluar, më 15 tetor.
Sir David, një deputet konservator që nga viti 1983, pësoi plagë të shumta me thikë dhe vdiq në vendngjarje.
Ali është një shtetas britanik me prejardhje somaleze, babai i të cilit ishte këshilltar i kryeministrit të Somalisë.
“Ne do t’ia paraqesim gjykatës që kjo vrasje ka një lidhje terroriste, domethënë se ajo kishte motive fetare dhe ideologjike”, tha Nick Price, nga Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës.
Ali, nga veriu i Londrës, mbetet në paraburgim dhe do të paraqitet më vonë në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster.
Ndihmës Komisioneri i Policisë Metropolitane, Matt Jukes i shprehu “ngushëllimet”, familjes, miqve dhe kolegëve të deputetit. /Telegrafi/