Personi i akuzuar për vrasjen e shefit të një firme sigurimesh në Nju Jork, është akuzuar për vrasje si një akt terrorist.
Luigi Mangione dyshohet se ka qëlluar Brian Thompson, shefin ekzekutiv të UnitedHealthcare, më 4 dhjetor.
Ai tashmë ishte akuzuar për vrasje, por akuza për terrorizëm është e re, transmeton Telegrafi.
Policia e arrestoi atë pas një ‘gjuetie’ që përfundoi me gjetjen e 26-vjeçarit në një McDonald’s.
Prokurori i qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg tha se kjo lloj “dhune e paramenduar, e synuar me armë nuk mund dhe nuk do të tolerohet”.
“Kjo ishte një vrasje e frikshme, e planifikuar mirë, e synuar që kishte për qëllim të shkaktonte tronditje, vëmendje dhe frikësim”, shtoi ai në një konferencë për shtyp.
“Ndodhi në një nga pjesët më të zhurmshme të qytetit tonë, kërcënoi sigurinë e banorëve vendas dhe turistëve, udhëtarëve dhe biznesmenëve që sapo e nisnin ditën e tyre”, tha ndër tjera.
Avokatja e Mangione në Nju Jork, Karen Friedman Agnifilo, nuk ka komentuar.
Ai aktualisht po mbahet në burg nën akuzat për armë në Pensilvani, por zyra e Bragg po kërkon ekstradimin e tij në Nju Jork.
Mangione u akuzua për vrasje më 9 dhjetor për vrasjen e Thompson jashtë një hoteli në Manhattan, përpara se të niste një konferencë e kompanisë.
Sipas miqve dhe postimeve në mediat sociale, ai vuante nga dhimbja kronike e shpinës që ndikonte në jetën e tij të përditshme – megjithëse nuk është e qartë nëse kjo luajti ndonjë rol në të shtënat.
Incidenti ka kthyer në qendër të vëmendjes industrinë e sigurimeve shëndetësore, me disa në internet duke u shfaqur për të lavdëruar veprimet e supozuara të Mangione.
Komisionerja e policisë së qytetit të Nju Jorkut, Jessica Tisch tha se nuk ka “nuk ka heroizëm” në vrasje. /Telegrafi/