Site icon Telegrafi

Ngritën çmimet e importit

Çmimet e importit në Kosovë janë më të larta për 0.3 për qind në tre mujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me tre mujorin e parë të këtij viti. Kurse, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit që shkoi, çmimet e importit pësuan rënie në një mesatare prej -0.1 për qind.

Kështu thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), për indeksin e çmimeve të importit për tremujorin e dytë të vitit 2015.
Ngritja më e madhe e çmimeve ishte sipas sektorëve te: produktet minerale (4.1 për qind); artikujt e ndryshëm të prodhuar (3.4 për qind); vajrat ushqyese (2.2 për qind); pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike (1.6 për qind); instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës (1.0 për qind); artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (0.9 për qind) dhe produktet e industrive kimike (0.2 për qind).

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: produktet bimore (-10.5 për qind); shtazët e gjalla, produktet e shtazëve (-1.4 për qind); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (-1.2 për qind); tekstili dhe artikujt e tekstilit (-1.2 për qind); letrat dhe artikujt e saj (1.2 për qind); këpucët(-1.2 për qind); druri dhe artikujt e drurit (-0.4 për qind); artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (-0.2 për qind); metalet bazë dhe artikujt prej tyre (-0.1 për qind); dhe mjetet e transportit (-0.1 për qind).

Çmimet e Importit në Kosovë pësuan rënie në një mesatare prej -0.1 për qind ndërmjet tre mujorit të dytë 2014 dhe tremujorit të dytë 2015. Rënie më të mëdha sipas sektorëve ishin te: produktet minerale(-11.7 për qind); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (-4.8 për qind); mjetet e transportit (-4.0 për qind); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (-3.2 për qind); këpucët (-1.2 për qind); dhe tekstili dhe artikujt e tekstilit (-0.6 për qind).

Rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e çmimeve sipas sektorëve te: produktet bimore (12.6 për qind); artikujt e ndryshëm të prodhuar (10.4 për qind); pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike (10.1 për qind); instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës (8.1 për qind); vajrat ushqyese (7.0 për qind); shtazët e gjalla dhe produktet e tyre (4.9 për qind);letra dhe artikujt prej saj (2.6 për qind); artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (2.2 për qind); artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (1.8 për qind); dhe produktet e industrive kimike (0.4 për qind). /Telegrafi/

Exit mobile version