Prokuroria e Shtetit ka nisur ngritjen e aktakuzave ndaj personave që gjatë pandemisë Covid-19, nuk kanë zbatuar rregullat e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së këtij virusi.
Më shfaqjen e rasteve të para më conronavirus në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë së bashku me Qeverinë kishin marrë masa kufizuese për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së virusit, ndër të cilat edhe kufizimi i lirisë së lëvizjes së qytetareve dhe mbyllja e restoranteve, kafeneve e qendrave tregtare.
Mirëpo këto masa nuk u zbatuan në përpikëri nga qytetarët, gjë që ka rezultuar edhe me arrestimin e një numri të madh të tyre.
Pas tre muajve, ka nisur edhe ngritja e aktakuzave për këtë raste, për veprën penale të mosveprimit sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë.
Njëra ndër to është Prokuroria Themelore në Pejë, e cila ka ngritur tre aktakuza të tilla, në Gjykatën Themelore në Pejë.
Këtë gjë e ka bërë të ditur, për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e gjykatës në fjalë, Tringa Zhuti.
“Në Gjykatën Themelore në Pejë janë pranuar tri Aktakuza për vepër penale “mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë”, nga neni 250 i KPK-së.”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Zhuti.
Ndryshe, lidhur me arrestimet e personave për moszbatim të vendimeve të lartpërmendura, Paneli Këshillues i Ekspertëve Ligjorë-Kosovë si pjesë e Panelit Këshillues të Ekspertëve Ligjor-Evropë, me 17 prill 2020, ka publikuar analizën ligjore “Kundërligjshmëria e arrestimit të qytetarëve nga ana e Policisë së Kosovës, si rrjedhojë e mosrespektimit të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë”.
Në këtë analizë thuhej se vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID – 19, i cilëson si kundërvajtje veprimet e personave të cilat bien ndesh me këtë vendim, ndërsa në anën tjetër, Policia e Kosovës së bashku me Prokurorinë e Shtetit janë duke i trajtuar këto veprime si vepra penale, duke iu referuar nenit 250 të Kodit Penal, që përcakton se “kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me burgim deri në dy (2) vjet”.
Analiza ligjore e plotë:
Më 15 prill 2020, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë Vendim për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID – 19 për Komunat respektive. Me këtë vendim, MSh ka paraparë një sërë masash, me të cilat synohet mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Njëkohësisht, aty parashihet se mosrespektimi i masave të përcaktuara në këtë vendim konsiderohet sipas ligjit, si kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë prej 1,000 Euro deri në 2,000 euro për personat fizikë dhe prej 3,000 Euro deri në 8,000 Euro për personat juridike, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet prej 500 Euro deri me 1,500 Euro. Në përputhje me ligj, gjobat shqiptohen nga Inspektorati kompetent.
Nga raportet e Policisë së Kosovës dëshmohet mbi arrestimin e personave si rrjedhojë e mos respektimit të Vendimit të Qeverisë, në disa raste duke i trajtuar shkeljet e qytetarëve si kundërvajtje, e në disa të tjera si vepra penale të mosveprimit sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë. Një qasje e tillë qartazi e tregon paqartësinë juridike ekzistuese në vend.
Pa komentuar mbi ligjshmërinë e vendimit të sipër përmendur të MSh – së, duke konsideruar se çdo vendim është i ligjshëm derisa një gjykatë kompetente të mos e konstatojë kundërligjshmërinë e të njëjtit, si dhe pa trajtuar apo diskutuar masat e ndërmarra, legjitimiteti dhe nevoja e të cilave në këtë fazë pandemie është e padiskutueshme, konsiderojmë se arrestimi i qytetarëve për mosrespektim të masave të përcaktuara në Vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) është veprim i kundërligjshëm dhe cenon rëndë të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID – 19, i cilëson si kundërvajtje veprimet e personave të cilat bien ndesh me këtë vendim, ndërsa në anën tjetër, Policia e Kosovës së bashku me Prokurorinë e Shtetit janë duke i trajtuar këto veprime si vepra penale, duke iu referuar nenit 250 të Kodit Penal, që përcakton se “kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me burgim deri në dy (2) vjet”.
Sipas këtij përshkrimi për t’u konsumuar vepra në fjalë nevojitet zbatimi i normës blankete, e cila udhëzon në vendimin e organit kompetent i cili cakton masat për luftim të sëmundjes. Organi kompetent, në këtë rast Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar masa parandaluese dhe luftuese të sëmundjes dhe në dispozitivin e saj të vendimit, i cili për nga karakteri është urdhërues, ka përcaktuar edhe se veprimet e personave që bien ndesh me këtë vendim cilësohen kundërvajtje duke përcaktuar edhe organin kompetent për mbikëqyrjen e këtij vendimi që janë Inspektorët Sanitar dhe jo Policia e Kosovës.
Në këtë drejtim, duhet cekur se parimi i legalitetit është parim bazë juridiko-penal i mishëruar në sistemin tonë të Republikës së Kosovës, sipas të cilit askush nuk guxon të dënohet për vepër penale që nuk është caktuar në ligj si vepër penale.
Parimi i ligjshmërisë është një digë e fuqishme e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut kundër arbitraritetit të organeve shtetërore. Ligjshmëria si parim bazë, mbron dhe fuqizon të drejtat e njeriut ndërsa detyron në anën tjetër që organet shtetërore të zhvillojnë procedura me profesionalizëm dhe maturi në harmoni me ligjin. Ky parim cenohet jo vetëm në rastet kur merren në përgjegjësi penale e ndëshkohen personat që nuk kanë kryer vepra penale. Sidomos një cënim të tillë, organet e drejtësisë mund ta bëjnë përmes analogjisë e cila sipas sistemit tonë parimisht është e ndaluar, mirëpo përjashtimisht analogjia lejohet në disa raste kur kërkohet një vendim paraprak i organit kompetent për të formësuar elementet konstituive të veprës penale.
Kodi i Procedurës Penale në nenin 2 të saj ku parasheh postulatin e parimit të ligjshmërisë që parashikon se në rast se ka paqartësi rreth përkufizimit të veprës penale, kjo paqartësi duhet të interpretohet në favor të personit. Zakonisht paqartësia e inkriminimeve të veprave penale haset kur Kodi penal udhëzon në zbatimin e një ligji tjetër për të formësuar elementet e veprës penale. “Përkufizimi i një vepre penale duhet të përcaktohet në mënyrë të saktë dhe nuk lejohet interpretimi sipas analogjisë. Në rast paqartësie, përkufizimi i veprës penale interpretohet në favor të personit ndaj të cilit zhvillohet procedura penale”, thuhet në nenin 2 të KPP-së.
Kurse në nenin 3 të Kodit të Procedurës Penale parashihet parimi “in dubio pro reo” në të cilin theksohet se “mëdyshjet lidhur me ekzistimin e fakteve të rëndësishme për çështjen ose për zbatimin e ndonjë dispozite të ligjit penal interpretohen në favor të të pandehurit dhe të drejtave të tij sipas këtij Kodi dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Duke marrë parasysh gjithë këtë, institucionet kompetente duhet që të kenë kujdes në zbatimin e dispozitave në fuqi dhe të veprojnë në përputhje me të njëjtat, duke ndaluar kështu edhe praktikën e arrestimeve dhe ndalimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për vepra të cilat përbëjnë kundërvajtje dhe jo vepra penale.
Në vazhdën e kësaj, po ashtu kemi analizuar edhe praktikën e disa prej vendeve evropiane, duke marrë parasysh masat dhe kufizimet e parapara nga këto shtete, për të shqyrtuar dhe paraqitur në vijim sanksionet që kanë paraparë secili prej këtyre shteteve në rast të shkeljes masave për parandalimin e pandemisë COVID – 19 nga ana e qytetarëve të vet.
ITALIA
Shkelja e masave të përcaktuara nga shteti i Italisë, i sanksionon qytetarët italianë me gjobë prej 400 deri në 3000 euro, si dhe burgim deri në tre muaj.
AUSTRIA
Shteti i Austrisë ka paraparë dënime me gjobë deri në 3,000 euro për personat të cilët nuk respektojnë vendimet shtetërore lidhur me karantinimin gjatë kësaj periudhe kohore.
FRANCA
Në këtë vend shkelja e rregullave të karantinës çon qytetarët francezë në dënime me gjobë nga 135 deri në 3,700 euro, si dhe dënime me burgim deri në gjashtë muaj në rast të përsëritjes, apo të kryerjes së disa shkeljeve.
MBRETËRIA E BASHKUAR
Policët në këtë vend kanë të drejtë të shqiptojnë gjoba në vend, duke filluar nga ato në vlerë prej 60£.
BELGJIKA
Kufizimet në lëvizjen e qytetarëve edhe në këtë vend sanksionohen vetëm me gjobë.
HUNGARIA
Ky është ndër vendet e vetme që ka paraparë vetëm dënim me burgim, e jo dënimin me gjobë. Në rast të shkeljes së masave të karantinimit është paraparë dënimi deri në 8 vjet burgim.
RUSIA
Shkelja e masave shtetërore mbi karantinim, këtu sanksionohet me gjoba nga 12.5euro e deri në 499 euro.Krahas analizimit të praktikës së vendeve të ndryshme evropiane, nga të cilat vërehet se pjesa më e madhe e këtyre shteteve këtë çështje e kanë rregulluar në atë formë që shkelja e masave lidhur me parandalimin e COVID-19 sanksionohet me gjobë, edhe organizata të caktuara botërore që kujdesen për respektimin e të drejtave të njeriut vazhdimisht kanë bërë thirrje për shmangien e burgimit në këto rrethana. Mbi të gjitha, një gjë të tillë e kanë kërkuar për shkak të rreziqeve të përhapjes më të gjerë të pandemisë, sidomos marrë në konsideratë kushtet, gjendjen dhe popullimin e institucioneve korrektuese në të gjitha vendet.Rekomandime për Policinë:
Të ndalet praktika e arrestimit dhe ndalimit të njerëzve për vepra që kanë të bëjnë me kundërvajtje.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet që zbatojnë ligjin të shqiptojnë gjoba administrative në pajtim me ligjet e aplikueshme. Kjo, për shembull, është bërë tashmë në disa qytete të mëdha në SH.B.A.
Rekomandime për Prokurorë dhe Gjyqtarë:
Prokurorët dhe Gjykatësit duhet të sigurohen që gjatë kësaj periudhe të respektohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Mos kërkoni ose mos vendosni paraburgim përveç në raste të jashtëzakonshme.
Mos kërkoni nga të pandehurit të lajmërohen fizikisht gjatë periudhës paraprake (kërkoni përmes telefonit ose lloje të tjera të mbikëqyrjes në distancë) dhe mos impononi ndonjë lloj pune ose kërkese për trajtim (këto mund të mos jenë të disponueshme).
Mos i penalizoni njerëzit e vendosur në mënyrë të pasigurt ose shtetasit e huaj duke i konsideruar ata si rreziqe fluturimi de-fakto.
Mos i zgjatni urdhrat e paraburgimit pa u siguruar që kjo është e domosdoshme dhe që nuk ka asnjë alternativë tjetër në duke pasur parasysh kushtet e ndryshuara të shëndetit publik.
Shqyrtoni listat aktuale të të burgosurve në procedurë paraprake dhe në mënyrë aktive lironi sa më shumë që është e mundur, duke u dhënë përparësi atyre që kanë probleme shëndetësore apo janë të moshuar.
Rekomandime për Avokatët:
Avokoni fuqishëm për lirimin e pakushtëzuar në çdo rast, për shkak të rrezikut të përgjithshëm të shëndetit publik. Punoni me kolegët tuaj për të shkëmbyer prova dhe modele të shkurtra, siç kanë bërë avokatët në Belgjikë dhe Francë.
Këmbëngulni që gjykata të shpjegojë (rast pas rasti) pse një alternativë e paraburgimit nuk është e mundshme, duke pasur parasysh rrezikun për jetën e personit duke i vendosur ata në paraburgim.
Menjëherë parashtroni ankesë kur kjo nuk është bërë.
Insistoni në thirrje telefonike pa pagesë apo thirrje me video me klientët e ndaluar që të vazhdojnë të kryejnë detyrat ndërsa vizitat mund të kufizohen për shkak të shqetësimeve shëndetësore.
Rekomandime për Burgjet:
Siguroni që personat që janë të burgosur dhe janë në procedurë kanë mundësinë të takojnë personalisht avokatët e tyre dhe kur kjo nuk është e mundur, të sigurohet qasja e pandërprerë, falas në linjat telefonike në mënyrë konfidenciale dhe video linqe për të lejuar të paraburgosurit të ushtrojnë të drejtën e tyre për qasje në avokat.
Ndalimet e vizitave nga avokatët, miqtë dhe familjarët, të burgosurve duhet t’u kufizohen në rreziqe specifike dhe në kohë në mënyrë që të lejohet qasja fizike kurdo që është e mundur.
Sigurimi i pajisjeve mbrojtëse në vend të kufizimit të qasjes për avokatët dhe vëzhguesit.
Monitoruesit e burgjeve duhet të kenë qasje të pandërprerë në të gjitha objektet, përfshirë njësitë e karantinës
Instituti i Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me CLARD, Fair Trials Europe dhe Komitetin e Helsinkit, janë në proces të zbatimit të projektit “Avancimi i të drejtave të pandehurve në procedurë penale”, mbështetur nga Ambasada Holandeze në Prishtinë përmes Projektit MATRA. Në kuadër të këtij projekti është themeluar edhe Paneli Këshillues i Ekspertëve Ligjorë- Kosovë (LEAP Kosovo). /BetimipërDrejtësi/