Site icon Telegrafi

Ngriten 15 kallëzime penale për manipulime në zgjedhje

Puna me zgjedhjet e 11 qershorit ende nuk ka përfunduar, madje as institucionet e vendit, si konstituimi i Kuvendit dhe krijimi i Qeverisë. Por, edhe prokuroritë e vendit po merren me hetimin e rasteve të manipulimit të votave të kandidatëve për deputetë. Është Prokuroria e Pejës ajo që ngriti sot dy aktakuza ndaj dy të dyshuarve, ndërsa gjithsej janë ngritur 15 kallëzime penale ndaj 16 personave.

Sidoqoftë, numërimi i votave gabimisht apo me qëllim, ka bërë që tre kandidatë për deputetë, pasi i shpallën fitues, të hiqen nga lista dhe në Parlament të vendosen tre kandidatë të tjerë. Në disa raste dyshohet se gabimet në numërim të votave ishin thjesht njerëzore, por në disa raste dhe të qëllimshme.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha për RTK-në se një Komision po harton dosje të cilën shpejt do t`ia drejtojë organeve të hetuesisë, me pretendimet për manipulim të rezultateve në favor të kandidatëve të ndryshëm brenda partive politike.

“Ka pasur raste nga ajo që kemi parë ku gabimet kanë qenë njerëzore. Në vend që t’i shënohen (X) deputetit i janë shënuar deputetit që ka qenë ndër atë kandidat apo mbi atë kandidat dhe kjo është parë që ka qenë njerëzore. Mirëpo ka pasur raste ku kandidatëve i është shtuar numri i votave dhe pasi ti bëjmë analizat përfundimtare do t’i dërgojmë në Prokurori”, deklaroi Daka.

Prokuroritë në rajonet e Kosovës, të urdhëruara nga Prokuroria e Shtetit, me urgjencë e prioritet po trajtojnë lëndët që kanë të bëjnë me të dyshuarit për manipulime në procesin zgjedhor të 11 qershorit.

Prokuroria e Shtetit, në një përgjigje me shkrim, konfirmon  për RTK-në se tashmë kanë nisur hetime ndaj disa individëve që dyshohen për manipulime në ditën e zgjedhjeve, por edhe për rastet e paraqitura  nga Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa.

Tashmë janë ngritur 15 kallëzime penale kundër 16 personave, 6 aktakuza dhe 3 aktgjykime. Në hetim janë edhe 14 të dyshuar nga 14 komisione të vendvotimeve në tërë vendin.

Florent Spahija nga KDI thotë se manipulimi i votave të kandidatëve për deputetë brenda partive duhet të trajtohet si vjedhje e votës.

“Fakti që vazhdojmë me pas komisionerë që janë nga partitë politike tregon që kemi me pas probleme me këto raste. Normalisht secila votë nuk duhet me u prek në momentin kur hapet. Çdo ndryshim i asaj vote konsiderohet vjedhje e votës sepse konsiderohet vjedhje e votës të atij qytetari i cili ka votuar. është i mirëseardhur intervenimi i shtetit dhe prokurorisë për t’u parë nëse ndryshimet kanë qenë gabime njerëzore apo të qëllimshme sepse nëse komisionerët arrijnë ta ndryshojnë vullnetin e popullit atëherë pse duhet mbajtur zgjedhje”, deklaroi Spahija.

Rinumërimi i qindra kutive të votimit u kërkua pas ankesave të shumë kandidatëve për deputetë, me pretendimet se u janë manipuluar votat brenda subjekteve të tyre politike.

 

Exit mobile version