Kapiteni dhe identiteti i futbollit pejan, ka vendosur t’i varë këpucët në gozhdë, duke mos preferuar të bëhet ‘barrë’ e klubit që tani është përforcuar shumë.
Në një intervistë për gazetën Arena, ai ka folur për momentet e paharrueshme që ia dha futbolli kosovar. Pse vendosi të pensionohet? Kë e pati skuadrën më të preferuar për t’i shënuar? Cili futbollist dhe cili stadium ishte më ‘bajati’ për të? Cili ishte trajneri më i mirë me të cilin ka punuar? Sa paqeta duhan i pinte në ditë dhe cila është ëndrra e tij? Haxhi Zeka ua jep nga një përgjigje për secilën.
Pensionimi dhe duhani
Pse vendosët të tërhiqeni nga futbolli?
Vendosa të tërhiqem, sepse Besa bëri shumë përforcime dhe unë nuk dëshiroja më të qëndroja në bankën rezervë. Unë isha i gatshëm të luaja ende, por e pash më të arsyeshme që t’i jap fund karrierës sime.
Momentet më të bukura me Besën
Mund të flas për tri raste shumë të bukura. E para është kur i kemi fituar titujt kampion. E dyta kur e kemi zhvilluar ndeshjen ndaj Prishtinës në një stadium të stërmbushur, që rrallë ndodhë në Kosovë. E treta, kur u larguan të gjithë futbollistët nga Besa, vetëm unë, Valmir Bytyqi dhe Genc Hoxha nuk ia kthyem shpinën klubit dhe në fund e siguruam ekzistencën.
Momentet më dëshpëruese
Më së shumti mërzitesha kur i humbnim ndeshjet në Pejë. Zakonisht në të kaluarën klubet na luteshin që mos t’iu shënojmë shumë gola, ndërsa këtë vit ndodhte e kundërta.
Jeni ndër lojtarët që vazhdimisht keni pirë duhan…
Duhani nuk më ka penguar, madje mendoj që më ka ndihmuar! E kam pirë rregullisht një paqetë duhan në ditë. Madje nga një herë edhe një e gjysmë.
Kush i pëlqeu dhe kush s’i pëlqeu Zekës? Ekipi i ‘preferuar’ për t’i shënuar?
Nuk e di pse, por Vëllaznimit i kam shënuar gola më së shumti. Me atë skuadër ma ka dashur gjithmonë. I shënoja gola si në Gjakovë, ashtu edhe në Pejë.
Lojtari më i ashpër me të cilin ke luajtur?
Mendoj që është Blerim Berisha i Trepçës ’89. Ai futbollist nuk dëshiron të luajë futboll. Sidomos kur luajmë në Mitrovicë, ai është i pafalshëm. Ai shikon vetëm se si të lëndojë.
Stadiumi më i mërzitshëm për të luajtur?
Mund të them që ishte ai i Merdarës. Gjithmonë përtoja të luaja kundër Hysit në atë stadium, sepse vërtetë ishte shumë larg.
Trajneri më i mirë?
Me të gjithë trajnerët që kam punuar te Besa, kam kaluar mirë. Por, më së shumti mbresa më ka lënë Genc Hoxha. Mënyra se si ka punuar ai ka qenë fantastike. Ai ka qenë një trajner shumë serioz dhe në skuadër gjithmonë ka pasur disiplinë të jashtëzakonshme.
Episodi me Brahim Vojvodën?
Ai ma ka bërë padrejtë dhe ai është dashur të dënohet nga Federata e Futbollit të Kosovës. I shënoi pesë gola në ndeshjen e fundit kampionale dhe ma mori ‘Këpucën e Artë’, thjesht absurde. Por, FFK-ja veproi po ashtu pa drejtë dhe ia dha atij çmimin e golashënuesit më të mirë. Sigurisht, unë përshëndetëm kur takohem me të.
Ëndrra dhe mesazhi për Pejën
A synoni të bëheni trajner i Besës një ditë?
Po, pse jo. Shumë shpejtë do të pajisem me ‘Licencën B’ në Kosovë dhe më pas më duhet ta marrë edhe ‘Licencën A’ në Shqipëri. Kam punuar me shumë trajnerë dhe kam mësuar shumë prej tyre, sidomos prej Genc Hoxhës. Kam dëshirë që një ditë të jem trajner i Besës, por edhe i ndonjë skuadre tjetër, pse jo.
A mund ta fitojë titullin kjo Besë?
Besa edhe edicionin e kaluar ka pasur skuadër shumë të mirë. Por, me këto përforcime dhe me këtë seriozitet të kryesisë, sigurisht që është ndër skuadrat pretendente për ta fituar titullin kampion. Shpresoj t’ia arrijë sepse qyteti i Pejës e meriton atë.
Mesazhi për Pejën?
Pasi që e kanë kuptuar se po tërhiqem nga futbolli, shumë tifozë më kanë telefonuar. Kam pranuar fjalë shumë të bukura, por sigurisht që nuk e kam ndërruar mendimin. Unë e falënderoj gjithë qytetin e Pejës për përkrahjen e madhe që ma kanë dhënë gjithmonë. Pejë të dua!
‘Dashuria’ 13-vjeçare
Haxhi Zeka është pjesë e klubit të Besës që 10 vite (jashtë një periudhe 6-mujore te Deçani), që prej vitit 2004. Ai ka luajtur për klubin nga Peja edhe në periudhën e paraluftës, për tri vite. Për këtë kohë sa ishte pjesë e klubit pejan, ai fitoi tre tituj kampioni dhe një Kupë të Kosovës. /Tribuna/Telegrafi/