Site icon Telegrafi

Ngritet aktakuzë ndaj një personi për ndërtim pa leje afër Liqenit të Batllavës

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi të enjten se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Y.I., për shkak të veprave penale “Ndërtimi pa leje” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.

Sipas aktakuzës, Y. I. gjatë muajit mars-qershor të vitit 2021, në fshatin Orllan të Podujevës, pa siguruar leje ndërtimore ka ndërtuar katër vila për banim në pronën e tij.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri Y.I., gjatë muajit mars-qershor të vitit 2021, në fshatin Orllan të Komunës së Podujevës, pa sigurimin e lejes ndërtimore nga organi kompetent dhe në kundërshtim me nenin 14, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 të Ligjit për Ndërtimin, ka ndërtuar katër vila për banim, në pronën e tij, në atë mënyrë që përkundër njoftimit dhe procesverbaleve të datës 29.06.2021, Vendimit për ndërprerjen e punimeve Nr.316/21 të dt. 05.07.2021, si dhe gjobës së shqiptuar nga inspektorët e Drejtorisë së Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Podujevës, i njëjti ka vazhduar dhe finalizuar ndërtimet e vilave duke mos respektuar vendimet dhe procedurat e zhvilluara nga institucioni kompetent për ndalimin e ndërtimit të objekteve të lartcekura, çka me këtë e ka kryer veprën penale “Ndërtimi pa leje”, nga neni 359 par. 3 lidhur me par 2 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin për media..

Po ashtu, më 05.07.2021, në vendin e lartcekur, i pandehuri nuk i ka përfillur vendimet e inspektorëve të Drejtorisë së Inspeksionit të Ndërtimit të Komunës së Podujevës, në atë mënyrë që i njëjti i ka hequr shiritat e vendosur nga organi i lartcekur për ndalimin e punimeve, ku me këtë e ka kryer veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cila i vihen në barrë, si dhe i ka propozuar Gjykatës të urdhërojë organet kompetente të Komunës së Podujevës që në kuadër të legjislacionit në fuqi të ndërmarrim veprimet e nevojshme për zbatimin e Aktvendimit për Rrënimin e Objekteve, të lëshuar nga Drejtoria e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Podujevës”. /Telegrafi/​

Exit mobile version