Site icon Telegrafi

‘Ngom Fest’ – Muzikë nga Kalaja

Nesër fillon edicioni VI i festivalit “Ngom Fest” i cili po kërkon që të dëgjohet muzika e tij dhe të mbrohen monumentet historike.

Kalanë e Prizrenit e cila në vete mban copëza të historisë dhe trashëgimisë sonë, do ta pushtojnë për katër ditë radhazi tingujt e muzikës në kuadër të festivalit “Ngom”.

Festivali “bredhacak” i Prizrenit i cili në fillimet e tij është njohur për zhvendosjen nga një lokacion në tjetrin, këtë vit nga 7-10 korrik ka gjetur “strehë” në kalanë e këtij qyteti.

Pesë skenat e edicionit të parë: skena në Shatërvan, skena në Marash, skena tek ish-parkingu, skena në Kino Bahçe (SHKA) si dhe skena me muzikë klasike në Shkollën e Muzikës “Lorenc Antoni”, u zvogëluan në katër në edicionin e dytë, tri në të tretin dhe të katërtin dhe një në edicionin e pestë.

Mirëpo, edhe pse ky vit do të ketë një lokacion si gjatë vitit të kaluar, lartësia mbidetare e festivalit të sivjetshëm do të jetë shumë më e lartë

“Kemi vendosur që këtë vit të ndryshojmë lokacionin duke u zhvendosur nga poshtë-lart. Besoj që kjo ka me qenë shumë mirë për vetë faktin se kalaja na mundëson një pamje të mrekullueshme të qytetit,” tha Arrita Arzuallxhiu, nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e “Ngom Fest”-it.

Ministria e kulturës këtë vit ka ndarë 4 mijë euro subvencione për festivalin që vitin e kaluar financimin e pati problem.

Exit mobile version