Pa përjashtime, asnjë shoqëri nuk mund d t’i shmanget dot logjikës së kapërcimit nëpër ligjet e zhvillimit të dialektikës, sepse ecuria dhe dinamika e proceseve detyrimisht të shpie në përplasje brenda strukturës së forcave shoqërore, ndërsa se çfarë kahe marrin veprimet e mëtutjeshme, është çështje e kapaciteteve të shoqërisë për t’i menaxhuar kundërthëniet ekzistuese të cilat herë-herë mund të shndërrohen në përmasën e konflikteve sociale-ekonomike, ndëretnike dhe të sigurisë, me pasoja për institucionet shtetërore.
Shoqëritë e konsoliduara, në mënyrë aktive duke funksionuar nëpërmes instituteve të ndryshme, paraprakisht përpiqen t’i identifikojnë shkaqet e mundshme të ngjizjes së konflikteve, të cilat qojnë në krijimin e sfidave të reja dhe sinjalizojnë institucionet për marrjen e masave preventive, që sanimi i tyre të bëhet në stadin e parë të të shfaqurit simptomatik, sepse marrja me pasojat dhe humbja e energjive do të kishte kosto më të ulët.
Fenomeni i globalizmit dhe i globalizimit të shoqërive, padyshim se në kontinuitet do ta bartë rrezikun për krijimin e konflikteve të reja, që më së shumti do të ndihen në shoqëritë e dala nga një proces lufte dhe konfliktesh, sepse disa elemente edhe pas përmbylljes së tyre nuk pushojnë së vepruari duke gjetur hapësira të përshtatshme të ngjizjes, në saje edhe të parakushteve që krijohen nga dy faktorë : a) faktorët e brendshëm që kryesisht derivojnë nga qeverisja e dobët politike, institucionale, administrative; b) faktorët e jashtëm që krijohen nga qendra të fuqishme duke ushtruar presion mbi shoqëritë postkonfliktuale, që disa prej tyre provojnë për t’i dhënë kahe zhvillimeve krejt ndryshe seç konceptohen dhe perceptohen nga mjedisi, që nganjëherë përfundojnë me fatalitet.
Kosova në këtë rrafsh ende vazhdon të atakohet nga dy faktorët e sipërpërmendur, që jo rrallë vazhdojnë të kenë ndikim në çorientimin e saj për në ecje më normale të shoqërisë, me premisa të ngjizjes së konflikteve, nga ato socio-ekonomike, politike, ndëretnike dhe të sigurisë.
Edhe pse ekziston spektër gjerë i organizatave civile dhe instituteve, krijohet përshtypja se nuk po reflektohet sa duhet mesazhi i tyre adekuat dhe me kohë për institucionet.
Akumulimi i problemeve të natyrave të ndryshme, kërkon njohuri dhe informacion të mjaftueshëm, me të cilët do të mund të “ushqehen” drejtuesit politikë, menaxherë të institucioneve qendrore dhe lokale.
Disa nga krizat që vazhdojnë t’i trandin institucionet shtetërore në Kosovë, mbeten ato socio-ekonomike dhe politike si dhe të sigurisë, të cilat pastaj mund të prodhojnë nënkriza tjera. Në një masë të caktuar, çdo ditë e më shumë po formësohet fenomeni i islamizmit politik- radikal, i cili po nuk u menaxhua kujdesshëm, rritet rreziku i zhbërjes së harmonisë ndërkonfesionale, ndërsa shoqëria mund ta humb aftësinë e kontrollit.
Institucionet shtetërore të Kosovës, urgjentisht duhet ta hapin debatin në dy nivele: a) në nivel institucional; b) në nivel elitar, që pas unifikimit të qëndrimeve, qoftë të shoqëruara me një sërë dokumentesh ta zbresin ofertën në rrafshin e komunikimit me qytetarin, sepse kështu mbyllet shtegu për interpretime të ndara apo edhe keqinterpretime, të përcjella me konfuzitet politik, ligjor dhe shkencor mbi realitetin ekzistues.
Krejt për në fund po i përmbledhim disa nga burimet e krizave, të cilat u rritën dhe u zhvilluan me shtetin e Kosovës, që në vija të trasha do të mund të ishin: a) ato që dolën nga një proces i gjatë konfliktesh me Serbinë; b) procesi i shtetformimit si një projekt konceptual i bashkëdyzuar me ndërkombëtarët; c) mungesa e eksperiencave për një qeverisje të mirë politike; d) menaxhimi jo efikas në nivele të institucioneve.