Telegrafi

Ngjitet për të rregulluar çatinë, gjen “thesarin 100 milionësh” (Foto)

Duket si një përrallë, por mund të jetë një zbulim i papritur.

Një burrë ka hipur në çati për të riparuar një çarje që i fuste brenda shiun, por ka gjetur nën të atë që mendohet se është piktura e fundit e Karavaxhos.

Piktura “Giuditta e Oloferne” është gjetur në një shtëpi fshati në Tuluzë të Francës, ku jetojnë pasardhësit e një ish-zyrtari të lartë të kohës së Bonapartit.

“La Stampa” shkruan se piktura është zbuluar në prill të 2014-s, por është bërë e ditur vetëm ditët e fundit.

Ekspertët francezë të veprave të artit janë të bindur se ajo është autentike.

Por njohësit e artit italian nuk nxitohen, madje kanë dyshime se kanë të bëjnë me një imitim të shkëlqyer.

Piktura i është besuar muzeut të Luvrit, i cili po e studion për të dhënë përgjigjen përfundimtare.

Nëse vërtetohet autenticiteti i kësaj vepre, shteti francez do t’i paguajë familjes që e gjeti një shumë prej 100-120 milionë euro.

“Giuditta e Oloferne” është e ngjashme me një tjetër pikturë të piktorit italian të shek. XVI, Karavaxho. Varianti tjetër i kësaj pikture ndodhet në Galerinë Kombëtare të Artit Antik në Romë. /Shekulli/