Shpeshherë, neve shqiptarëve që jetojmë në shtetin tonë, por jo edhe nën pushtetin tonë, na krijohet një bindje tejet e gabuar se, kinse shqiptari që jeton në Maqedoni, Luginë të Preshevës, Mal të Zi dhe Çamëri, dallohet dukshëm në mentalitet prej shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, bile se edhe ndërmjet këtyre dy shteteve shqiptare, kemi ndasi të mëdha në veprimtari dhe mendësi. Deri diku janë të arsyeshme, dhe të kuptueshme dallimet ndërmjet nesh! Sepse, të jetosh dekada me radhë nën pushtetin e huaj, dhe të mos i nënshtrohesh fare asimilimit, është e pa mundur. Fatkeqësisht kemi disa shqiptare të kryeqytetit të një shteti me emër dhe histori të kontestuar, që dukshëm dallohen me shqiptarët që jetojnë në Tiranë dhe Prishtinë. Ndërkaq, janë shumë të përafërt me bashkështetasit e tyre maqedonas! Kësisoj, në Çamëri dhe në Mal të Zi, çështja e asimilimit të çdoditshëm është bërë normale dhe e patjetërsueshme. Për dallim prej këtyre “shehërlive” të vjetër që asimilimin e shohin si gjë normale, nuk tentojnë të mbrohen nga një gjë e tillë, dhe nuk e shohin fare si rrezik.
Nuk është thënë kotë se, edhe njeriun më të egër dhe asocial, e keqja apo rreziku e detyron të bashkohet me të tjerët. Pra, edhe shqiptarët si trung me gjethe të shpërndara, historikisht e keqja apo rreziku i bashkoj. Këtë e argumenton, lufta e Kosovës, zemërgjerësia e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, në Shqipëri, në diasporë dhe në Luginë të Preshevës, si dhe anasjelltas! Pas mbarimit të luftërave, disa njerëz fare pa moral nuk i përfunduan dhe harruan llogarit e së kaluarës, të llojit vëllavrasës. Edhe përkundër që tmerrësisht ikën prej armikut, si dhe kur të tjerët i çliruan, gjetën kohë dhe mundësi për ta sulmuar dhe për t’iu hakmerr mikut apo vëllait për një vezë të pulës. Ata harruan shumë shpejtë se, serbit ia lan tërë pasurinë! Ky pra, është një imitim i verbër i atyre të cilët, sot e kësaj dite jetojnë në xhungël, bile atyre u ka hije se fundja jetojnë përnjëmend në xhungël dhe me mendësi të majmunëve apo të kafshëve tjera.
Ne nuk hezituam që të imitohemi ndërmjet veti, edhe në fenomenin e fushatave parazgjedhore. E pakuptueshme! Ne të imitohemi dhe të ngjajmë ndërmjet veti, vetëm në dukuri të këqija. Absolutisht, nuk ngjajmë në shprehin e të lexuarit, të respektuarit, në të folurit, por në besimin dhe votimin e atyre që gjithherë na gënjejnë, na mashtrojnë dhe na shfrytëzojnë. Deri atëherë pra, kur nuk do të vetëdijesohemi se banorët e xhunglës nuk bënë t’i imitojmë kjo do na ndodh, dhe në vazhdimësi do na përsëritet, bile mendoj që një ditë, ata do na padisin për plagjiaturë.
Unë një ditë isha në Prishtinë, dhe për së afërmi e pash sesa ata (vëllezërit tanë), ngjasojnë me neve që jetojmë në Maqedoni. Folklorizmi patriotik, premtimet boshe, shpifjet ndërmjet veti, sharjet dhe ofendimet, lavdërimet për namin e bërë, vizita e parqeve dhe të varfërve vetëm në këtë kohë, pastrimi i lapidarit të profesorit Femi Aganit, fitimi i poenëve politik në kurriz të të ndershmëve (dëshmorëve), financimi i gazetave për promovim të partive përkatëse, pushtimi i medieve me reklama të ndryshme, ftesa e këngëtareve të ndryshme, kuptohet duke kënduar me tesha, por pa rroba, pastaj prej atij koncerti po e njëjta elitë politike e frymëzuar prej këngëtares në fjalë, shkoi tek varrezat e dëshmorëve kinse për të bërë homazhe. Besa, në atë vend të dashur për mua, pash edhe një kombi-kamion i cili barte në vete një ekran të madh, e që në brendësin e atij ekrani të madh, fliste një njeri i madh, pra një ish-profesor i imi, prej të cilit më së paku një gjë të tillë e kam pritur! Nëpër tubimet që rastësisht kalova, pash edhe personalitete politike të vendit tonë, që historikisht dhe politikisht kishin qenë të dështuar në vendin e tyre të lindjes. Fatmirësisht, atë natë fare nuk u ndal rryma, për një çast harrova se gjendem në valën e fushatës parazgjedhore, ku vet nxehtësia dhe dinamika e kësaj fushate prodhonte rrymë, dhe mbushje celularësh për të varfrit që vuanin për ushqim.
U gëzova tej mase kur dëgjova në njërën prej medieve të këtij shteti, një fjali të harruar që moti dhe e ngulitur në trurin tim prej atëherë kur fillova ta hedh hapin e parë në këtë jetë. Fjalia që më bëri të rrëqethem dhe të ndihem mirë ishte, “shqiptarët si shumicë në këtë vend…”, me të vërtet më kishte marr malli shumë për këtë fjali. Por, njëri që më shoqëronte mua (i njihte mirë rrethanat në këtë vend dhe jashtë tij) më tha se, mos të mërzitem, se edhe ju atje jeni shumicë, ngase maqedonas të pastër shumë pak ka, por ka serb, vlleh, turq, rom, etj., por që për privilegje të caktuara deklarohen si maqedonas, ndërkaq shqiptarët janë shumicë, por fatkeqësia qëndron në atë se, historikisht roli i tyre ka qenë sikurse shkuma e detit, apo sikur shkuma e koka-kolës në shuarjen e etjes.
Ç’pash e nuk pash, por në asnjë çast dhe në asnjë pik, nuk vërejta dallim në organizimin e fushatës parazgjedhore. Pra, të paktën në fushata parazgjedhore, shqiptarët që jetojnë në shtetin problematik e të vogël, por i njëjti që nuk i frikohet asnjë shteti, po puqen në mendësi dhe veprimtari me vëllezërit andej gardhit.
Edhe unë nuk do isha frikuar prej askujt, nëse nuk do isha vetja ime, dhe nëse nga çasti në çast, pritet që unë t’i bashkëngjitëm vetës sime të vërtet!