Në fillimin e verës, reperi nga grupi Kaos, Lumi, i dha fund beqarisë duke u martuar me të dashurën e tij Mirandën, me të cilën pas pak muajsh ata krijuan edhe familje. Lumi u bë baba i një djali të vogël, të pagëzuar me emrin Blini.
Pos Lumit, edhe shumë yje tona u bënë prindër këtë vit. Aurela Gaçe u bë nënë duke e quajtur vajzën e saj Grace. Edhe pse shumë shpesh në media, Aurela ka pranuar frikën e saj sa i përket martesës, si duket ideja për tu bërë nënë, ia ndryshoi mendimin e saj. Ajo lindi në nëntor, dhe tashmë po shijon ndjenjën më të mirë, e martuar dhe me fëmijë.
Po ashtu edhe aktoret tona të famshme të serialeve kosovare, Yllka Gashi dhe Blerta Syla, kanë lindur fëmijë. Blerta, e cila është e martuar me publicistin Veton Surroi, për herë të dytë u bë nënë e një djali të vogël.
Por hera e parë që lindi ishte e Yllka Gashit. Aktorja e serialit “Familja Moderne”, pas martesës së saj me Albianin, sollën në jetë një vajzë. Për një kohë ajo u shkëput nga aktrimi, por tash sërish e kemi atë në ekranet tona.
Ky vit ishte shumë i suksesshëm për Alban Skenderajn. Përveç suksesit të madh që kishte ai me klipin “Mirëmëngjes”, ai u bë pjesë e shout më të madh muzikor në botë “X Factor Albania”, prej të cilit dolën në pah shumë talentë të mëdhenj. Po ashtu me pjesëmarrjen e tij në “Video Festin Muzikor 2012”, ai rrëmbeu çmimin e madh. Por kjo fitore nuk ishte e fundit për të. Kënga Magjike 2012, ishte trofeu i radhës të cilën Albani e dërgoi në shtëpi.
Por suksesin e saj, kulminacionin në karrierë deri më tani, këtë vit e mori Rona Nishliu. Ajo mori pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH me këngën “Suus”, e cila u punua nga kompozitori i madh shqiptar Florent Boshnjaku. U cilësua nga kritikët e muzikës si njëra ndër këngët më të mira shqiptare. Mori vlerësime të mëdha nga njerëz të spektrit profesional të muzikës, gazetarisë, e kritikë pozitive nga e gjithë bota.
Po ashtu ,kryeministri i Shqipërisë çmoi lartë talentin e Ronës, duke e bërë publik pasionin e tij për zërin e saj. “Rona Nishliu është një talent i rrallë që më ‘marros’ nga dëshira për ta dëgjuar”, ka thënë Sali Berisha në një intervistë në Shqipëri.
Por jo vetëm trojet shqiptare u mahnitën me një talent si Rona. Pjesëmarrja e saj në Eurosong 2012, la gojëhapur shumë shtete të Evropës. Performanca e saj, preku të gjithë publikun, e disa edhe shpërthyen në lot, edhe pse e gjithë kënga është kënduar në shqip.
Rona e pozicionoi Shqipërinë në vendin e pestë për këtë vit, ndërsa kënga “Suus” ishte ndër këngët më të dëgjuara të Eurovizionit në të gjitha vendet pjesëmarrëse.
“2012, një vit tepër i bukur, që në fillim me të veçanta, pasaporta shqiptare me 16 janar, udhëtimi për në Los Angeles për realizimin e versionit përfundimtar të këngës ‘Suus’ në studio prestigjioze si Ocean Ways dhe Capitol Records. Udhëtimi për në New York për setin fotografik profesional me të madhin tonë Fadil Berisha, e në studion e tij u organizua dhe një pritje nga komuniteti i artistëve shqiptar në New York”.
“Turneu në disa vende të Evropës, ku gjithmonë prezantimin e këngës ‘Suus’ e pritën me shumë duartrokitje. Realizimi i videos së ‘Suus’, për të cilën falënderoj regjisorin Bekim Lumi, performanca në Eurosong. E gjithë kjo periudhë e ngjeshur dhe me shumë intervista, mbështetje e vlerësim që nga krerët më të lartë institucionalë e deri te qytetari më i thjeshtë, pleqtë e fëmijët, të cilët më ndalnin në rrugë për të më përqafuar e shtrënguar fortë, të lumtur për rezultatin e arrirë”.
“Udhëtimi për pjesëmarrje në festivalin ‘Netët e Bardha të Shën Peterburgut’ dhe vendi i dytë, bashkëpunime me Televizionin Nacional Turk TRT, paraqitje me Orkestrën Simfonike të Sarajevës në mesin e artistëve më të spikatur të Ballkanit, dhe shumë koncerte në ndërkohë. Përfshirje në aktivitete me karakter humanitar, realizimi i videos sensibilizuese kundër dhunës ndaj gruas, në kuadër të aktivitetit 16 ditët botërore kundër dhunës ndaj gruas, realizimi i këngës ‘Se vetëm zemra flet saktë’ pjesë e fushatës vetëdijësuese kundër dhunës në çiftet adoleshente mbështetur nga Komisioni Evropian”.
“Përgjithësisht vit i bukur në rrafshin profesional dhe i përmbushur në çdo aspekt tjetër, meqë ndjenja e të qenit e vlerësuar më ka shoqëruar që në ditët e para të vitit që po e lëmë pas”, ka thënë Rona Nishliu për Telegrafin.
/Telegrafi/