Site icon Telegrafi

Ngjarjet në veri të Kosovës, jehonë në mediat ndërkombëtare

Ngjarjet e fundit në veriun e Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit për targa nga Qeveria e Kosovës kanë pasur një jehonë edhe në mediat e njohura ndërkombëtare.

Media gjermane Bild e konsideron serioz kërcënimin e Serbisë për Kosovën e cila i ka dhënë një ultimatum 24-orësh NATO-s.

Në faqen e parë të Bild shkruhet: “Serbia e kërcënon Kosovën me luftë, ultimatum 24-orësh për NATO-n”.

Bild shkruan se  problem i reciprocitetit për targa mund të shndërrohet në një konflikt të armatosur mes aleatëve të Rusisë siç është Serbia dhe vendit të mbrojtur nga NATO,  që i referohet Kosovës.

Media tjetër prestigjioze ndërkombëtare Financial Times, ka raportuar se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë në kufi kanë eskaluar.

“Përshkallëzohen tensionet në kufirin Kosovë-Serbi”, ka shkruar FT.

Media britanike raporton se tensionet u përshkallëzuan përgjatë kufirit Kosovë-Serbi në fundjavë pasi serbët i vunë flakën një objekti për regjistrimin e automjeteve dhe hodhën granata në një tjetër objekt qeveritar, në shenjë proteste kundër ndalimit të hyrjes së makinave me targa serbe në Kosovë.

“Tension në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës” është titulli i shkrimit të medias spanjolle elPeriodico

Media e njohur spanjolle shkruan se Serbia ka dërguar automjetet e blinduara pranë zonës kufitare.

Ndryshe, sot është dita e tetë që kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të vendosur reciprocitetin në targa për të gjitha automjetet që kalojnë nga Serbia në Kosovë.

Komuniteti ndërkombëtar vazhdon të bëjë thirrje për ulje të tensioneve, derisa gjatë dy ditëve të fundit në afërsi të dy pikave doganore janë parë duke patrulluar edhe paqeruajtësit e KFOR-it.

Liderët nga të dyja vende edhe në ditën e tetë pas këtij vendimi nuk kanë treguar shenja të tërheqjes nga retorika e tyre politike.

Problemi i targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë./Telegrafi/

Exit mobile version