Një ngjarje tronditëse është ajo që ka ndodhur këtë të martë në fshatin Mujalli të Fierit.
Një fëmijë vetëm 8 vjeç u rrëmbye rreth orës 9 të mëngjesit për tu gjetur më pas i groposur në shtëpinë e fqinjit të tij. Autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë është Klodian Çalamani, i cili mësohet se jetonte i vetëm.
Ai u arrestua nga policia.
Sot rreth orës 15:30 është bërë njoftim nga shtetasja F. V se nuk është kthyer në banesë djali i saj i vitlindjes 2013.
Me marrjen e njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur.
Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit Klodian Çalamani, 38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë.
Menjëherë është bërë kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar në Komisariatin e Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po punohet për kryerjen e veprimeve të plota procedurale, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motiveve të saj.
Korrespondentja e Klan News në Fier, Anila Sefa, thotë se fëmija ishte zhdukur që prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm. Autori Klodian Çalamani mësohet se jetonte i vetëm.