Site icon Telegrafi

Ngjarja në Tiranë: Zbardhet dëshmia e shoqeve të 21-vjeçares, shkuan me dëshirë në banesë për të qëndruar me djemtë

Pesë personave të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Astir u është shtuar edhe një tjetër akuzë, ajo e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Kjo për shkak se shoqet e 21-vjeçares pasi kanë dhënë dëshminë e tyre sërish përpara Policisë së Tiranës, kanë pranuar se kanë shkuar me dëshirë në banesë pasi i ka thirrur shoqja e tyre për të qëndruar së bashku me djemtë, si dhe të përdornin doza kokaine.

Në këto kushte, ndaj 5 të rinjve tashmë të shpallur në kërkim nga blutë i është shtuar edhe akuza e shitjes dhe prodhimit të narkotikëve. Ndër të tjera ata akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje si dhe heqja e paligjshme e lirisë.

Një ditë më parë, vajza dëshmoi se nuk është dhunuar dhe ka shkuar vetë me dëshirë në banesën me qira ditore, ndryshe nga versioni i parë që dha kur telefonoi sallën operative. 21-vjeçarja është shprehur se është ndjerë e frikësuar në momentin që ka parë se një prej djemve kishte armë me vete.

Vajza ka treguar më tej se me Joni Sadikaj ishte njohur vetëm një ditë më parë në një lokal të zonës dhe ai i kishte kërkuar që të merrte disa shoqe të sajat për të kaluar natën bashkë, pasi kishte edhe disa shokë me vete. E reja ka dëshmuar më tej se kanë qëndruar në banesën e marrë me qira ditore gjatë gjithë natës duke konsumuar kokainë.

Burime nga policia pohojnë se të shpallurit në kërkim janë persona me precedentë penalë. Joni Sadikaj, në vitin 2017 u arrestua në Kavajë bashkë me 4 persona të tjerë me akuzën e tentativës së trafikimit drejt Italisë së 1.3 tonë kanabis. Ndërsa verën e vitit 2022 u prangos në Vlorë për armëmbajtje pa leje.

Të mërkurën, telefonata e Sajma Qordjas ngriti në këmbë policinë, ku forcat RENEA ndërhynë me litarë nga tarraca e pallatit për të hapur derën, pasi e reja nuk i përgjigjej thirrjes së tyre, si dhe negociatave të të atit që deklaronte se të bijën ia kishin rrëmbyer.

Në dy banesat e marra me qira, policia gjeti dy armë zjarri dhe mbetje kokaine, si dhe sendet personale të të shpallurve në kërkim./A2 CNN

Exit mobile version