Site icon Telegrafi

Ngjarja e rëndë me një të vdekur dhe disa të plagosur në Tiranë, gjendet një makinë e djegur me dy kallashnikov në Bubq

Në afërsi të fshatit Bubq është gjetur një makinë e djegur, brenda së cilës janë parë edhe dy armë zjarri kallashnikov.

Makina dyshohet paraprakisht se është përdorur një natë më parë gjatë sulmit me armë ndaj një lokali në Don Bosko në Tiranë, ku mbeti e vrarë një grua dhe 5 persona të tjerë u plagosën, raporton A2 CNN.

Autorët kane qëlluar me breshëri në drejtim të lokalit, në të cilin kishte disa persona. E vrarë nga të shtënat ka mbetur punonjësja e lokalit, shtetasja Mimoza Paja, rreth 50 vjeçe, ndërsa të plagosur kanë mbetur edhe 5 persona të tjerë Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.

Policia konfirmoi se lokali ku ka ndodhur ngjarja e rëndë është në pronësi të shtetasit Fatjon Murati, me precedentë penalë. Ai është vënë në pranga në tetor të vitit të kaluar pasi ishte shpallur në kërkim se zotëronte një arsenal armësh, të kapur nga policia më 13 korrik.

Mes të plagosurve është edhe shtetasi Sahit Murati, i cili është xhaxhai i Fatjon Muratit, me precedentë të mëparshëm penalë dhe sipas të dhënave të para mund të ketë qenë edhe ai objektiv i këtij sulmi të tmerrshëm me armë.

Murati është një nga personat që dyshohen si të përfshirë në atentatin e trefishtë të ndodhur në Krujë vitin e kaluar, ku humbën jetën Diklen Vata, Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj, kushëri i Ervis Martinajt. /Telegrafi/

Exit mobile version