Ditën e sotme, tre të dënuar janë përplasur me armë zjarri në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.
Të përfshirë janë të burgosurit Sokol Mjaçaj, Ilir Xhakja dhe Arben Lleshi. Tre të burgosurit janë të dënuar me burgim të përjetshëm. Mirëpo, kush janë tre të burgosurit dhe përse janë dënuar.
Sipas informacioneve rezulton se Ilir Xhakja, i arrestuar, akuzohet se është autori i vrasjes me armë zjarri të Kryekomisarit Adem Tahiraj, në 13 shtator të vitit të kaluar në afërsi të Durrësit. Ndaj tij, rëndojnë disa akuza ndër to, ajo e “vrasjes me dashje” për shkak të detyrës së efektivit të Policisë së Shtetit.
Sokol Mjaçaj është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë, ngjarje e ndodhur në korrik 2015 në zonën e Dukagjinit, në Shkodër. Ai ka mohuar se ka pasur qëllim që t’i vriste turistët, por vetëm t’i grabiste për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike në të cilën ndodhej.
Nga ana tjetër, Arben Lleshi është i dënuar për vrasjen e një bashkatdhetari, ngjarje e ndodhur disa vite më parë. Ai është autori i vrasjes së Agim Hoxhës, në 10 prill 2012. Mediat britanike shkruanin atëherë se Hoxha u vra në një apartament në qytetin anglez të Southempton, dhe më pas, trupi i tij u dogj në një makinë tip “Mercedes Benz”.
Për këtë ngjarje është dënuar me burg edhe vëllai i Lleshit, Afrim Lleshi, i cili ka pranuar para gjykatës se ka bashkëpunuar në shfarosjen e trupit të viktimës. Shkaku i vërtet i vrasjes nuk është asnjëherë i ditur nga vëllezërit.
Drejtoria e burgjeve raportoi më herët se të plagosur kanë mbetur dy të burgosur. Dyshohet se Mjacaj ka qëlluar me armë zjarri. /Telegrafi/