Ngërçet janë pjesë e fazës së zhvillimit në jetën e bebes, janë të parrezikshme dhe konsiderohen si gjendje normale. Shkaku i ngërçeve në stomak është i panjohur edhe sot e kësaj dite.
Njëri prej shkaktarëve të kësaj dukurie konsiderohet papjekëshmëria e mjaftueshme e sistemit enzimatik dhe çrregullimi në nivelin e nyjave neuromuskulare.
Ç’është e vërteta, enzimat në zorrë ndonjëherë nuk janë mjaft të zhvilluara, kështu që ekziston një disharmoni ndërmjet sasisë së ushqimit të marrë dhe kapacitetit të enzimave si dhe funksionit të zorrëve. Në stomakun e të ëmës bebja e ka marrë ushqimin e përpunuar.
Pas lindjes bebja merr qumështin e nënës me dendësi të caktuar si dhe me kaloritë përkatëse gjë që shkakton probleme në tretjen e ushqimit të marrë. Te foshnja në këto raste paraqiten disa lëvizje në formë të ngërçeve në zorrë të cilat përpiqen ta shtyjnë ushqimin.
Këto ngërçe të zorrëve shkaktojnë dhembje mjaft të mëdha prandaj edhe foshnja qan me zë mjaft të lartë.
Me rritjen e foshnjës edhe trakti digjestiv i saj zhvillohet dhe përkryhet për ushqimin e ri, transmeton Telegrafi.
Çka mund të bëjë nëna që t’ia lehtësojë bebes dhembjen e stomakut?
Mbajtja e drejtë e bebes me rastin e dhënies gji mund t’i zbusë ngërçet në stomak. Nëna duhet të zërë pozitë të rehatshme, të shtrihet dhe që fëmijën t’ia afrojë gjirit (jo të përkulet mbi beben).
Foshnja duhet të kapë thimthin e gjirit dhe sipërfaqen përreth, kështu që e tërë goja t’i mbushet me sisë, në ç’mënyrë zvogëlohet mundësia që të thithë ajrin.
Mbas dhënies gji foshnja duhet patjetër të ngrihet në mënyrë që të gogësijë. Më së miri është që të vihet në parzmat e së ëmës në anën e krahut (koka e foshnjës duhet të jetë mbi krahun e së ëmës).
Hulumtimet më të reja kanë dëshmuar se dhënia e çajeve të ndryshme ose pikave kundër ngërçeve nuk ndikojnë në zvogëlimin ose zhdukjen e plotë të ngërçeve.
Lëngu i konsumuar vetëm do të plotësojë vëllimin e stomakut (e me vetë këtë foshnja do të marrë sasi më të vogël të ushqimit, përkatësisht qumësht nga e ëma) por nuk do të zvogëlohen dhembjet.
Foshnjës do t’i ndihmoni më së miri nëse i jepni gji në mënyrë të rregullt dhe në qoftë se, kur qan me dhembje dhe e shqetësuar, e mbështetni në parzmat tuaja. /Telegrafi/