Site icon Telegrafi

Ngërçet politike në Kuvend, pasojë e “analfabetizmit” të deputetëve

Përfundimi procesit zgjedhor 2014, ishte dhënia e provimit nga ana e qytetareve në mënyrë demokratike e mjaft civilizuese, duke përsëritur se populli i Kosovës është i vetëdijshëm për rendësinë e proceseve vendimtare për të ardhmen e vendit drejt rrugës për integrim evropian.

Përkundër këtij fakti, partitë politike e deputetët e rinj, të cilët u zotuan para popullit për përfaqësim të denjët në Kuvendin e Kosovës, duke premtuar punë në mbrojtje të interesave të popullit e shtetit, nuk po arrijnë të japin provimin para qytetarëve si deputetë për të gjetur zgjidhje politike në funksionalizimin e kuvendit të Kosovës.

Përkundër arsyetimeve mediale për të bindur popullin se këta apo ata janë më fajtorë për ketë bllokim institucional, e vërteta e gjithë këtij avazi të vjetër qëndron mbi bazën e mos posedimit të kritereve në përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Bazuar në legjislaturat e kaluara të kuvendit të Kosovës, jemi dëshmitarë se disa nga deputetët për katër vite mandat asnjëherë nuk kanë folur të paktën edhe një fjalë në foltoren e kuvendit, e disa të tjerët nuk kanë treguar përformancë të duhur në komisione parlamentare, në raport të përfaqësimit të popullit nga të cilët i morën votat.

Sipas raportit te KDI-së, të shumtë janë deputetët të cilët asnjëherë nuk janë qasur në diskutim gjatë seancave parlamentare. Madje shumë nga deputetët e legjislaturës së kaluara nuk kanë ofruar asnjë deklaratë para mediave, përkundër asaj që ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës për katër vite.

Disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk kanë lexuar asnjëherë rregulloren e Kuvendit. Madje një pjesë e tyre në disa raste ishin pjesë e skandaleve parlamentare, akuzave për korrupsion, mos deklarim te pasurisë, rrahje, fyerje, e madje duke shfrytëzuar ulësen e deputetit për të luajtur me telefon gjatë mbajtës së seancave parlamentare.

Deri më tani, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i vetmi kriter për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës pas shtetësisë është: të jesh mbi moshën 18 vjeç (Neni 71 pika 1 Kushtetuta e Kosovës).

Nëse bëjmë krahasim mbi peshën e një deputeti dhe një recepsionisti në komunat e Kosovës, i cili ky i fundit për një vend pune duhet të plotësojë një “krah” dokumente, një kandidat për deputet nuk ka nevojë për asnjë kriter, madje as për shkollën fillore, madje as për atë nëse ishte njeri i UDB-së, madje as për atë nëse ishte ndonjë vrasës ordiner, kriminel… I vetmi kriter mbetet: t’i sjellësh vota partisë…

Ne si qytetare të Republikës së Kosovës, të shqetësuar me zhvillimet politike në Kuvendin e Kosovës e në skenën politike, mund të parashtrojmë disa pyetje:

1. Ngërçet politike në kuvendin e Kosovës sot, a janë pasojë e ardhjes së deputetëve në Kuvend pa asnjë kriter, të cilët disa prej tyre janë vetëm me shkollë fillore apo të mesme, e disa të tjerë janë me diploma të tregtuara?

2. A mund të ndërlidhim papërgjegjësinë parlamentare, si korrupsioni, rrahjet, fyerjet, keqpërdorimet e ulëses së Kuvendit, me nivelin e ulët arsimor e moral të tyre?
3. Rritja e nivelit të korrupsionit, krimit të organizuar, shantazheve, manipulimin medial etj. a po ndodhin si pasojë e analfabetizmit në Kuvendin e Kosovës, si pasojë e mos njohurive bazë si të trajtojnë këto fenomene në Kuvend?

4. Deputetët në Kuvendin e Kosovës, a janë brenda një rrethi vicioz, e nuk arrijnë t’i perceptojnë gjërat më larg se interesat personale e partiake, duke dëshmuar se ardhja e tyre në Kuvend ishte duke manipuluar popullin në forma të ndryshme (tregtim te votës)?

Sipas gjithë kësaj analize që bëmë mund të konstatojmë se thënia e vjetër “siç është populli është edhe shteti” nuk qëndron më. Pasoja e gjithë këtyre çrregullimeve e manipulimeve me popullin në emër të popullit, fajtor nuk është populli, por akademia kosovare e politikanët e papërgjegjshëm, që ushqehen nga taksapaguesit kosovarë, ndërsa për 15 vite që nga paslufta nuk e ngritin zërin asnjëherë për të marr përgjegjësinë që i takon në përpilimin e politikave me interes vital për shtetin. Deri kur Akademia e Kosovës…?

 

Exit mobile version