Site icon Telegrafi

Ngecja në projektet e mëdha, sollën rënien e investimeve

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, Shpend Balija, ka deklaruar se determinuesit kryesorë të rënies së investimeve të huaja direkte në Kosovë, në vlerën prej 100 milionë eurosh, më pak se në vitin paraprak, janë ngecjet në investimet e mëdha kapitale.

“Një nga arsyet kryesore për rënien e investimeve gjatë vitit 2016 është bllokimi apo mosimplementimi i projekteve madhore, të cilat ishin planifikuar më herët. Prolongimi i projekteve madhore si ‘Kosova e Re’ dhe projekte të tjera në sektorin e energjisë janë determinuesit kryesorë për rënien e investimeve të huaja në Kosovë. Këtu saktësisht fjala është edhe për Brezovicën dhe ‘Trepçën’. Të gjitha këto do të kishin një ndikim pozitiv të konsiderueshëm në rritjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë”, ka deklaruar Balija në një intervistë për gazetën “Epoka e re”.

Pos këtyre faktorëve, sipas tij, në rënien e investimeve të huaja ka afektuar edhe niveli i korrupsionit, mangësitë institucionale, si dhe konkurrenca jolojale. “Mos të harrojmë se edhe trendët globalë vitin e kaluar në përgjithësi kanë pësuar rënie të investimeve të huaja direkte”, ka deklaruar ai.

Balija ka thënë se, edhe pavarësisht prej vlerësimeve pozitive për ambientin e të bërit biznes në Kosovë nga organizata me renome ndërkombëtare, mbetet ende për t’u bërë në eliminimin e procedurave burokratike dhe luftimin e korrupsionit. “Kosova është duke shënuar progres të rëndësishëm drejt ekonomisë së lirë të tregut, duke shënuar po një rritje në përqindjen e brutoproduktit vendor më të lartë se shtetet e rajonit. Gjithashtu, borxhi publik qëndron në nivel të kënaqshëm dhe relativisht kemi tatimin e ulët sa iu përket korporatave. Ndërsa korrupsioni, si dhe mangësitë e ndryshme institucionale, kanë krijuar një situatë jo të mirë për konkurrueshmërinë dhe rritjen e produktivitetit, duke limituar zhvillimin e një sektori më të fuqishëm privat. Pra, është me rëndësi të punohet drejt eliminimit të barrierave dhe krijimit të ambientit sa më të mirë për investime”, ka thënë ai.

Në këtë intervistë Baliaj ka folur edhe për pakon e re fiskale 2.0. Ai ka shprehur optimizëm se kjo pako do të jetë në favor të prodhuesve vendës dhe ambientit të të bërit biznes në Kosovë. “Pakoja e re fiskale është mjaft pozitive. Ne kemi pritje të mëdha nga kjo pako, pasi në të janë përfshirë një numër i madh i kërkesave të sektorit privat, duke përfshirë ato të prodhuesve vendës si dhe të kompanive ndërkombëtare. Tani ne mendojmë se kjo pako do të jetë në funksion të gjenerimit të investimeve të mëtutjeshme, rritjes ekonomike si dhe uljes së nivelit të papunësisë”, ka deklaruar Baliaj. /Epoka e Re/Telegrafi/

Exit mobile version