‘Qyteti i Dashurisë’ ka marrë pamje përrallore, shkaku i disa centimetrave borë që kanë rënë gjatë natës.
Qendrat kryesore turistike si Notër Dami dhe Kulla e Ajfelit, janë mbuluar me borë, kurse kështjellat e Disneyland Paris, prej ngjyrës rozë janë bërë të bardha, transmeton Telegrafi.
Turistët që ndodhen në kryeqytetin francez, janë me fat pasi shkaku i motit janë anuluar fluturimet e aeroplanëve, teksa shpenzimet e qëndrimit i kanë të mbuluara.
“Pranoni kërkim faljen tonë të sinqertë, pasi shkaku i kushteve klimatike, nuk mund të bëhet udhëtimi. Akomodimi dhe udhëtimi i sërish do të kompensohen, përfshirë edhe ditët e humbura në punë”, ka qenë reagimi i një prej kompanive turistike.
Derisa vizitorët mund të shijojnë edhe për një natë bukuritë e Parisit, të nesërmen pritet që të kthehen sërish prej nga vijnë.
Në anën tjetër, kjo nuk iu ka konvenuar aspak parisienëve, që kanë vuajtur me ujësjellës të ngrirë nëpër shtëpi, si dhe pengesa në udhëtim, shkaku i rrugëve të ngrira. /Telegrafi/