Peruja ka “hapur dyert” e Machu Picchus për vetëm një turist japonez, i cili kishte pritur për shtatë muaj pasi kishte ngecur në këtë vend gjatë pandemisë së coronavirusit, shkruaj Sky News.
Jesse Takayama kishte planifikuar që vetëm disa ditë t’i kalojë në këtë vend gjatë muajit mars, por kriza globale shëndetësore bëri që të mbyllet vendi që planifikonte ta shihte për së afërmi (mbetjet e shenjta), transmeton Telegrafi.
Ai kishte ngecur në qytezën Aguas Calientes në afërsi të Machu Picchus, si rezultat i kufizimeve në luftë kundër pandemisë.
Por të shtunën, pasi arriti të sigurojë një leje të veçantë, ai më në fund u fut në këtë pjesë të famshme të botës – duke përdorur biletën e njëjtë që e kishte blerë shtatë muaj më parë.
“Atij i është dashur të udhëtojë për në Peru për të realizuar ëndrrën e kamotshme, por nuk mund të futej brenda”, ka bërë të ditur ministri peruan i Kulturës, Alejandro Neyra.
Megjithatë Takayamas i është lejuar të futet në Machu Picchu para se të rikthehej në vendlindjen e tij në Japoni. “Është e mrekullueshme. Faleminderit”, ka thënë turisti japonez.
Machu Picchu figuron në listën e zonave të mbrojtura të organizatës ndërkombëtare për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e njohur si UNESCO, dhe shtrihet në malet Andes. /Telegrafi/