I riu që preu proshutën në mes të autostradës në Itali u bë hit në rrjetet sociale.
Pak ditë më parë, pas bllokimit të trafikut në një nga seksionet e autostradës në Itali, të shkaktuar nga drejtuesi i një kamioni me blloqe çimentoje, materiali i të cilit u derdh në të tre korsitë, një i ri vendosi për një lëvizje të pazakontë, transmeton Telegrafi.
Një i ri i quajtur Saverio Santarelli e kuptoi se situata do të zgjaste, dhe vendosi të përdorte kohën duke vendosur një copë proshutë në murin e autostradës, duke e prerë atë për pasagjerët që u gjendën në kolonë.
Gjegjësisht, sipas mediave italiane, ky i ri po kthehej në shtëpi pasi kishte marrë mirënjohjen nga shkolla ndërkombëtare e kuzhinës italiane “Alma” në qytetin e Parmës.
Udhëtarë të shumtë e njohën vullnetin e mirë të këtij të riu dhe vendosën të shijonin proshutën, që ishte pjesë e provimit të tij në Parma.
Disa prej tyre vendosën t’i bashkohen këtij të riu, duke sjellë pije dhe gota plastike për t’u ofruar të tjerëve diçka për të pirë. /Telegrafi/