Telegrafi

Ngec trajtimi i personave me diabet në Maqedoni

Derisa e tërë bota lufton kundër diabetit në Ditën Botërore të Shëndetit duke bërë përpjekje për gjetjen e mënyrave më moderne për përmirësimin e kësaj situate, në Maqedoni ndodh e kundërta, thonë disa nga personat që vuajnë nga kjo sëmundje. Sipas tyre, trajtimi i personave me diabet në vendin tonë po ngec, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Ne më shumë se dy vjet diskutojmë, apelojmë dhe luftojmë, por autoritetet nuk kanë vesh për këtë. Atyre u intereson vetëm çmimi që duhet paguar në euro ose denarë për barnat esenciale, që janë vitale për personat me diabet” , u shpreh për Alsat-M, Cvete Serafimovski, person me diabet nga shoqata “Balans Mk”.

Për problemet e furnizimit me insulinë flasin edhe përvojat e Renatës 22 vjeçe e cila jeton me diabet tash e 13 vjet.

“Ndodh shumë shpesh që të shkojmë të marrim insulinë, por nuk ka nga ai që e përdorim, ose na dërgojnë të marrim në një barnatore tjetër të insulinës dhe të presim një deri dy javë që është problem i madh”, tha Renata Jakimoviq, person me diabet nga shoqata “Alegrija”.

Për shkak të këtyre problemeve, bashkëbiseduesit tanë thonë se personat me diabet duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin, kur nuk kanë insulinë. Ndryshe në Maqedoni jetojnë 120 mijë njerëz me diabet./Telegrafi/