Telegrafi

Ngec kreditimi në Eurozonë

Kreditimi në Eurozonë ndaj kompanive dhe ndaj familjeve është regjistruar në stanjacion gjatë Shtatorit duke mbajtur kështu në gatishmëri Bankën Qendrore Europiane.

Huadhënia ndaj kompanive u rrit me 1.9 për qind gjatë kësaj periudhe kohore në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Huadhënia ndaj familjeve ndërkohë u rrit me 1.8 për qind duke ruajtur hapin e qëndrueshëm të rritjes të regjistruar gjatë muajve të verës.

Burime brenda Bankës Qendrore Europiane deklarojnë për Reuters se, me rimëkëmbjen e brishtë ekonomike si dhe me rreziqet që gjenerojnë negociatat e Britanisë për të braktisur unionin, institucioni me bazë në Frankfurt me shumë gjasa do të shtyjë përtej Marsit programin e blerjes së titujve.
Me shpresën për të nxitur kreditimin, shpenzimet dhe investimet, për vite me radhë institucioni ka ndjekur politika lehtësuese monetare. Këto politike nuk kanë dhënë efektin e pritur.

Indikatori M3 që mat qarkullimin e parasë në zonën e monedhës së përbashkët u ngadalësua në 5 për qind gjatë Shtatorit, ndërkohë që analistët prisnin një normë pranë 5.1 për qind.

Anketa e Bankës Qendrore Europiane javën e kaluar tregonte se, bankat e rajonit do të kufizojnë aksesin në kreditim për korporatat për të parën herë në dy vite e gjysmë, si pasojë e rreziqeve që burojnë nga normat negative të interesit. /Telegrafi/