Site icon Telegrafi

Ngadhnjim Kastrati pas shkarkimit të Bordit: Është precedent i rrezikshëm për RTK-në dhe të ardhmen e mediumit publik

Drejtori i Transmetuesit Publik, Ngadhnjim Kastrati, ka reaguar pasi Kuvendi shkarkoi me shumicë votash anëtarët e Bordit të RTK-së.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, ai tha se deputetët, Armend Muja dhe Doarsa Kica e dinë që argumentet e tyre te paraqitura para deputeteve për shkarkimin e Bordit nuk qëndrojnë, por e kanë obligim te kryejnë misionin, dhe kjo sipas tij është e frikshme për demokracinë.

“Nesër kush e di çfarë vendimi marrin! Por një gjë është e sigurt që auditim ka pasur në RTK, raporti 2020, i performancës dhe ai financiar është publik dhe është një nga raportet me notat më të mira nga auditori i pavarur. Për profesionalizmin e disa anëtarëve të Bordit flasin CV-të dhe përvoja e tyre dhe zgjedhja e tyre nga Kuvendi”, shkroi ai.

Lexo po ashtu Reagon Bordi i shkarkuar i RTK-së: Do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar vendimin

“Unë do të jem falënderues për bashkëpunimin që kemi pasur me këtë Bord, pavarësisht tentimeve të politikes për ta komprometuar RTK-në nëpërmjet fabrikimeve dhe inskenimeve të situatave”.

“Përgjegjësi para publikut dhe ligjit, PO! Nënshtrim dhe përulje JO!”, tha në fund Kastrati.

Kuvendi votoi pro shkarkimit të Bordit për secilin anëtarë veç e veç.

Emrat e anëtareve Bordit të shkarkuar të RTK-së janë: Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku.

Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur në tërësi rekomandimin për shkarkimin e këtij Bordi.

Ndërkaq partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke e quajtur këtë e vendim si puro politik dhe tentim për kapje të shtetit. /Telegrafi/


Exit mobile version