Telegrafi

Ngadalësohet rritja ekonomike e Britanisë

Rritja e shpejtë ekonomike në Britaninë e Madhe është “ndalur” në tremujorin e tretë të këtij viti, pasi sektori i shërbimeve u ngadalësua, ndërsa sektori i prodhimit u rrit me hapin më të ngadaltë në 18 muajt e fundit.

Prodhimi i Brendshëm Bruto u zgjerua me 0.7 për qind në periudhën Korrik-Shtator, krahasuar me rritjen prej 0.9 për qind në tremujorine dytë. Ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar, rritja rezultoi në 3 për qind, deklaroi Zyra Kombëtare e Statistikave. Kjo do të thotë se prodhimi total ekonomik është 3.4 për qind më i madh krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2008.

Megjithatë, Britania vazhdon të jetë vendi më i “shpejtë” krahasuar me ekonomitë e tjera të zhvilluara, për këtë vit. Sipas analistëve, ky ngadalësim vjen edhe për shkak të performancës shumë të dobët të eurozonës, që është një partner i rëndësishëm tregtar i Britanisë. Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, që zhvillohen në Maj të vitit të ardhshëm, Konservatorët në pushtet po përpiqen të sigurojnë një ecuri të fortë ekonomike për të bindur votuesit.

Por në anën tjetër, Laburistët në opozitë shprehen se kjo rritje nuk po transmetohet tek britanikët, pasi rritja e pagave mbetet minimale. Sektori që u ngadalësua më shumë ishte industria e madhe e shërbimeve, që përfaqëson rreth ¾ e ekonomisë dhe u ngadalësua në 0.7 për qind nga 1.1 për qind që ishte më parë. Edhe prodhimi në fabrika ra në 0.4 për qind. /Telegrafi/