Telegrafi

Ngadalë por me hapa të sigurt, Arbër Zeneli po e kthen formën – shënon në Ligën e Evropës

Arbër Zeneli ka vazhduar paraqitjet e mira me Elfsborgu, kësaj radhe në Ligën e Evropës, duke shënuar gol në fitoren e skuadrës së tij ndaj Paphos. 

Sulmuesi i krahut, fundjavën që lamë pas, arriti të shënojë dhe të asistojë dy herë në kampionatin suedez në fitoren 5-3 ndaj Hacken, ndërsa edhe sonte pati paraqitje të mirë në kuadër të Ligës së Evropës.

Elfsborgu fitoi me rezultat 5-2 në ndeshjen kthyese skuadrën qipriote, Paphos, duke avancuar në rrethin e dytë kualifikues të kësaj gare me rezultatin e përgjithshëm, 8-2.

Zeneli e kompletoi ndeshjen, duke luajtur 90 minuta, ndërsa arriti të shënojë gol pesë minuta para fundit të takimit.

 

Pas largimit nga Adana Demirspor, Zeneli u kthye te Elfsburg, ku ka munguar vetëm në një ndeshje nga 18 të zhvilluara.

Ai ka pesë gola dhe katër asistime gjatë kësaj periudhe. /Telegrafi/