Telegrafi

Ngacmoi seksualisht 5-vjeçaren, dënohet me burg 48-vjeçari nga Berati

Foto: Ilustrim

Gjykata e Beratit ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg 48-vjeçarin Sokol Kapinova, i akuzuar për “marrëdhënie seksuale me të mitur, e mbetur në tentativë”.

Në lidhje me këtë ngjarja prokurori Dritan Gripshi kërkoi 9 vite burg për Kapinovën. Sipas prokurorit akuza në ngarkim provohet nga aktet e ekspertimit si dhe nga provat shkencore dhe ato me dëshmitarë. Mësohet se gjatë të gjitha seancave gjyqësore ku i pandehuri ka qenë i pranishëm, ai e ka mohuar akuzën dhe nuk ka shprehur pendesë.

Trupi i gjykues i përbërë nga gjyqtarët Durim Hasa, Matilda Llangozi dhe kryesuesja Entela Gjoni, pasi kanë dëgjuar pretendimet e palëve, e kanë shpallur Kapinovën fajtor dhe e kanë dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burgim, të cilat do ti kryejë në burgjet e sigurisë së zakonshme.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 18 qershor 2020 në lagjen “Barrikadë” të qytetit të Beratit. E mitura 5-vjeçe u ngacmua seksualisht nga komshiu i saj, Sokol Kapinova që rezultoi të ishte i njohur nga banorët e lagjes si përdorues i rregullt i alkoolit. Edhe pse policia e Beratit nuk dha pas ngjarjes së rëndë asnjë informacion në lidhje me dinamikën e saj, nga burime brenda familjarëve u mësua se 48-vjeçari e kishte gënjyer vajzën 5-vjeçe së bashku me motrën e saj 7-vjeçe me ëmbëlsira dhe kumbulla, duke i futur të dyja brenda në banesën e tij.

Më pas, ai futi në njërën nga dhomat 5-vjeçaren dhe e ngacmoi atë seksualisht. Por kur e mitura filloi të qajë ai i la të dalin jashtë, pa menduar se motrat do t’u tregonin prindërve atë çfarë kishte ndodhur në banesën e tij. Nga vizita mjekësore që u krye nga mjekët specialistë rezultoi se 5-vjeçarja kishte shenja të ngacmimit seksual.

Kapinova mësohet se rrinte shpesh dhe luante me fëmijët e lagjes në shesh-pushimet përpara pallateve por deri përpara ngjarjes së rëndë askush nga banorët e lagjes “Barrikadë” nuk ishte ankuar për sjelljet e tij ndaj fëmijëve. Ai jetonte i vetëm dhe banorët e lagjes e njihnin atë si një person të alkoolizuar. /Shqiptarja/