Në Maqedoni mungojnë të dhënat zyrtare sa i përket numrit të grave viktimë e ngacmimit seksual në vendin e punës. Deri në shtator të këtij viti në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë regjistruar gjithsej 70 padi për veprën kundër lirisë gjinore dhe moralit, prej të cilave 30 raste kanë të bëjnë me dhunimin e grave.
Organizatat që në fokus kanë të drejtat e grave, thonë se numri i rasteve që kanë të bëjnë me ngacmimin seksual në vendin e punës, është shumi lartë, ndonëse nuk është në nivelin e duhur ngritja e vetëdijes sa i përket identifikimit, aq më pak denoncimit të rasteve tëkëtilla.
Hulumtimi i realizuar nga organizata joqeveritare “Solidaritet dhe barazi mes grave”, që ka përfshirë809 gra nga mosha 15 – 62 vjeçe në marrëdhënie pune, nxjerr në pah se 17 për qind e tyre në një formë të caktuar kanë qenë viktimë e ngacmimit seksual në vendin e punës.
Maria Geleva, drejtuese e kësaj organizate, thotë se shqetësimi seksual në vendin e punës shfaqet në shumë forma, duke shkaktuar pasoja të rënda emocionale te viktima. Geleva, si shumë shqetësuese thekson faktin se një numër shumë i vogël i grave i denoncojnë rastet e këtilla në institucionet e drejtësisë.
“Vetëm një e treta e viktimave vendosin që t’i denoncojnë rastet që kanë të bëjnë me ngacmimin seksual në vendin e punës, që këtu përshin denoncimin në ndonjë institucion të caktuar. Kur them formalisht i kanë denoncuar rastet e këtilla, mendoj ata janë drejtuar te punëdhënësi, sindikata, ose kanë ngritur procedurë gjyqësore, ose një pjesë e tyre rastin e ka paraqitur në polici”, thotë Gelevska.
Ndërkaq, Xhane Kreshova, nga organizata e grave që përfshin rajonin e Tetovës për Radion Evropa e Lirë thotë se denoncimi i rasteve që kanë të bëjnë me ngacmimin seksual në vendin e punës, për gruan shqiptare akoma mbetet “temë tabu”.
“Ngacmimi i grave në vendet e punës, këtu në rajonin e Pollogut është temë për të cilën pothuajse nuk flitet. Ne, si organizatë, kemi tentuar ta hapim këtë temë në mesin e grave, madje edhe në mënyrë shumë sipërfaqësore, përsëri kemi heshtje. Gratë nuk flasin në emrin e tyre, por për rastet apo disa gra të tjera, duke folur për ndonjë shoqe, e cila ka pasur probleme me pronarin dhe është detyruar ta lërë punën”, thotë Kreshova.
Ajo shton se femrat që i denoncojnë rastet e këtilla, nga shoqëria shihen si fajtore, sepse është krijuar bindja se femra është ajo që me veprimet e saj ka nxitur rastet e dhunshme në vendin e punës.
“Gratë që të mos e humbin vendin e punës, nuk e denoncojnë rastin, në fakt ngacmimin seksual në vendin e punës. Por, arsyeja kryesore se pse nuk e denoncojnë ngacmimin seksual në vendin e punës, është se do të përballen, apo më mirë thënë, do të atakohen nga familja dhe rrethi më i gjerë, sepse mendohet se fajtore për nxitjen e ngacmimit seksual është gruaja me veprimet e saj. Duhet të ngrihet vetëdija e opinionit që të bëhet i dukshëm ky problem, dhe si i tillë të shtrohet për t’u zgjidhur”, thekson Kreshova.
Nga ana tjetër, Irena Cvetkoviq, aktiviste për të drejta e grave, thotë se shteti duhet t’i qaset më me shumë seriozitet kësaj çështjeje dhe jo “problemi të fshihet nën tepih”, dhe viktimat të gjenden vetë si dinë dhe si munden.
“Shteti duhet më me seriozitet ta shqyrtojë këtë problem, mendoj fenomenin e mosdenoncimit të dhunës seksuale. Njëherësh është shumë e rëndësishme të zhvillohet një strategji institucionale se si shoqëria në përgjithësi ta trajtojë këtë problematikë”, thotë Cvetkoviq.
Ajo potencon se kjo problematikë është shumë komplekse dhe kërkon qasjen profesionale të më shumë institucioneve që do të jenë në korrelacion të fuqishëm të ndërveprimit duke mos e lënë viktimën vetë të gjendet me problemin e kësaj natyre.
Ndërkaq, ekspertë juridik thonë se shumë vështirë dëshmohet para organeve të drejtësisë për rastet që kanë të bëjnë me ngacmimet seksuale në vendin e punës por jo e pamundur nëse përfshihen më shumë institucione për të ndërvepruar, e që do të ndihmonte për çrrënjosjen e kësaj dukurie.