Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, iu mundësua sot vizita në Kosovës, pesë ditë pasi i ka ndërruar jetë babai, Haxhi Thaçi.
Nën masa të rrepta të sigurie, Thaçi vizitoi varrin e babait të tij. I vetëm pranë varrit, Thaçi vendosi një kurorë lulesh, e ku mbishkrimi ishte mjaft prekës, transmeton Telegrafi.
“Te varri yt erdha i fundit babë. Para meje erdhën mijëra qytetarë. Së shpejti, dorë me dorë, do t’i falënderoj të gjithë. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, thuhet në mbishkrimin e vendosur në kurorë.
E, derisa qëndroi te varri i babait, disa qytetarë ishin mbledhur pak metra më larg tij, të cilët i shprehen ngushëllime Thaçit për humbjen e babait.
Thaçi më pas vazhdoi vizitën te familjarët e tij, ku edhe do të qëndrojë për dy ditë.
Vizitën e Thaçit në Kosovë e konfirmuar nga Specialja, duke njoftuar se ai është lejuar të bëjë nderime dhe të jetë me familjen e ngushtë
“Mund të konfirmoj se për arsye bindëse humanitare, trupi gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë në paraburgim në Kosovë për Hashim Thaçin që t’i bëjë nderimet dhe të jetë me familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në paraburgim nga Dhomat e Specializuara”, ka thënë për Telegrafin, Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Thaçi nuk ishte lejuar nga Specialja të merrte pjesë në varrimin e babait të tij.
Haxhi Thaçi ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku po trajtohej për gjendjen e tij të rënduar shëndetësore.
Më 13 mars 2025, ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kishte marrë leje për të vizituar babanë e tij në spital.
Vizita e tij kishte zgjatur rreth tre orë dhe ishte zhvilluar nën masa të rrepta sigurie.
Pas vizitës, Thaçi ishte kthye në paraburgim në Hagë.
Gjatë qëndrimit të tij në spital, qytetarë të shumtë ishin mbledhur për t’i dhënë mbështetje ish-presidentit dhe familjes së tij në këto momente të vështira./Telegrafi/