Site icon Telegrafi

Nga vështirësitë e emigrantit në Itali, suksesi në balet e deri te fitorja në BBVA – Ilir Shaqiri rrëfen në një “vals kujtimesh” rrugëtimin e tij

Ilir Shaqiri (Foto: Ilir Shaqiri/Instagram. Foto-kolazh: Endrit Dallaveraj/Telegrafi)

Me një karrierë që zë fill e që shtrihet nëpër skenat prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare, Ilir Shaqiri është një figurë e shquar në botën e baletit shqiptar dhe përtej kufijve. I frymëzuar nga gjaklinjët e artit – me prindërit që kanë luajtur rolin e tyre të rëndësishëm në skenat e operës – Iliri është një balerin që kombinon trashëgiminë me pasionin, duke u bërë një simbol i qëndrueshmërisë dhe ndjeshmërisë artistike.

Në një bisedë intime me Telegrafin, ai rrëfen udhëtimin e tij personal dhe profesional në botën e baletit, duke u ndalur në detajet e frymëzimit familjar, sfidat e dashurisë ndaj artit dhe jo rrallë ndeshjes me realitetin e mërgimtarit që shikon të ardhmen me sytë e ëndrrës.

Në këtë intervistë ekskluzive, Shaqiri zbulon forcat që e shtyjnë përpara dhe e mbajnë gjithmonë në kërkim të përsosmërisë në atë që ai quan “magjia e baletit”. Ai reflekton mbi rolet që ka mbajtur, jo vetëm në pistën e kërcimit, por edhe si anëtar i jurisë në spektakle televizive të njohura, si “Dancing with the Stars Albania” dhe për përvojën e tij në reality show-n e njohur “Big Brother VIP Albania 1”. Ndërkohë që ndan vizionin dhe planet e ardhshme, Ilir Shaqiri fton lexuesit e Telegrafit të ecin krah për krah me të në këtë vallëzim emocional dhe profesional, nëpër faqet e një karriere që ka shumë për të treguar akoma.

Ilir Shaqiri (Foto: Ilir Shaqiri/Instagram)

Telegrafi: Ilir, jeni një nga balerinët më të njohur shqiptarë. Si e filluat karrierën tuaj në balet dhe çfarë ishte që ju frymëzoi fillimisht për të ndjekur këtë art?

Ilir Shaqiri: Pa dyshim, frymëzimin tim e gjeta pranë familjes time, dhe më saktësisht te dy prindërit e mi, balerinë të Teatrit të Operas. Nëna ime ka përfunduar studimet në Teatrin e famshëm “Bolshoi” të Operas në Moskë, ndërsa babai im ka qenë një super balerin i Filharmonisë së parë shqiptare. Secili prej tyre ka depozituar atë që quhet ADN-ja e artistit në atë që jam unë sot. Duke qenë se shpesh e ndiqja nënën time në opera, sepse artistët e asaj kohe ishin të mrekullueshëm në historinë e artit por njëkohësisht edhe shumë të vuajtur pa asnjë lloj kushti apo salltaneti të mirëfilltë, ky fakt më ka ndikuar pozitivisht. Frymëzimi për të qenë balerin filloi qysh atëherë, duke i parë drejtpërdrejt gjestet e nënës sime në punë, në sallën e provave dhe në skenë. Magjia e dritave dhe orkestrës u bë ëndrra dhe pasioni im për të qenë një ditë një balerin i mirë.

Telegrafi: Duke pasur një karrierë të gjatë dhe të suksesshme, cilat janë disa nga sfidat më të mëdha që keni hasur në rrugëtimin tuaj si balerin?

Ilir Shaqiri: Sigurisht, sfida më e madhe që kam hasur në jetë, dhe veçanërisht gjatë tetë viteve të shkollës ka qenë të ndjek këshillat dhe kritikat e prindërve të mi, të cilat më vonë u kthyen në gjënë më të bukur që kam pasur në jetë. Ata kanë qenë muza e gjithë asaj që jam sot dhe më kanë ndihmuar në jetën profesionale dhe përtej saj. Një sfidë tjetër shumë e madhe ka qenë vetja dhe ajo që dëshiroja të bëhesha, si dhe problemet që kam hasur si mërgimtar në një vend ku askush nuk të njeh dhe nuk ke asnjë lloj mbështetjeje, veçanërisht në vitet ’90 kur shqiptari shihej si një njeri pa vlera në Itali. Por sfidat profesionale gjithmonë më kanë ndezur, duke më shtyrë të konkurroj me kolegët dhe me veten, dhe kështu formohet karakteri i një personi dhe i një artisti në të njëjtën kohë.

Ilir Shaqiri (Foto: Ilir Shaqiri/Instagram)

Telegrafi: Një pjesë e rëndësishme e karrierës suaj ka qenë pjesëmarrja juaj në “Amici” në Itali. Si ndikoi ky spektakël në zhvillimin tuaj artistik dhe profesional?

Ilir Shaqiri: “Amici” i Maria de Filippi është padyshim një super program televiziv, ndër të disatët që ajo ka bërë, dhe një nga programet me jetëgjatësi televizive dhe sukses të jashtëzakonshëm. Kur një program televiziv ka nisur në vitin 2001 dhe 23 apo 24 vjet më vonë vazhdon të ketë sukses dhe shikueshmëri, merr gjithmonë vlerësimet dhe duartrokitjet më të mira nga publiku dhe spektatori. Duke pasur një afrimitet dhe një impakt të fortë te publiku, televizioni ka një fuqi më të madhe se sa teatri. Megjithatë, unë kurrë nuk mund të harroj magjinë e teatrit dhe mrekullinë e një duartrokitjeje live që merr kur je në skenë, ndryshe nga komplimentet që të bëjnë njerëzit në rrugë për shkak se të kanë parë në televizion, janë dy emocione komplet të ndryshme. Por përsëris, “Amici” është një super program dhe unë jam i lumtur që kam qenë pjesë e tij.

Telegrafi: Si e përjetuat rolin tuaj si kryetar jurie në “Dancing With The Stars Albania” dhe cilat ishin kënaqësitë dhe sfidat që kjo përvojë ju solli?

Ilir Shaqiri: Zgjedhja për të marrë pjesë në “Big Brother VIP Albania 1” ishte komplet personale dhe e vetëdijshme. Kam thënë gjithmonë se e kam bërë për një dëshirë të vetme, e cila, për fat të mirë, u realizua. Jam i lumtur që realizova, jo sepse e fitova çmimin, por që publiku e njohu Ilir Shaqirin përtej asaj që është. Dëshiroja që publiku të njihte atë Ilirin që është i përditshëm, nga koha kur zgjohet deri te koha kur fle. Fitimi i “Big Brother VIP Albania” për mua është relativisht i dytë në rëndësi, sepse ajo që shpjegova më parë është primare. Jam jashtëzakonisht i lumtur për të gjithë njerëzit që më përqafojnë, për atë mbështetje dhe për të gjitha emocionet që vazhdoj marrë çdo ditë.

Foto: Ilir Shaqiri/Instagram

Telegrafi: Si fitues i edicionit të parë të “Big Brother VIP Albania”, cili ishte momenti më mbresëlënës gjatë qëndrimit tuaj në shtëpi? Do e riktheje si eksperiencë?

Ilir Shaqiri: Pa dyshim kam përjetuar emocione të veçanta dhe të forta, sepse, siç thashë, nuk kam ndjekur as skema, as lojëra, as strategji. Thjesht në momente të caktuara kam reaguar me atë që është instikti im i mbijetesës, i cili më është dhënë nga jeta ime si emigrant dhe si artist. Reagoj gjithmonë instinktivisht, pasi instinkti është vetëm një, dhe kur bën atë që dëshiron, nuk do të pendohesh për asgjë. Dhe, nëse gabon, gabimi do të shndërrohet në mësim akoma më të vyer për ditën e ardhshme. Dy momente të veçanta emocionuese nga “Big Brother”-i im do të veçoja janë ardhja e vajzës sime dhe kërcimi me nënën time. Këto momente nuk do ti heq kurrë nga shpirti dhe ndjesia e tyre është e njëjtë edhe sot, sikur atëherë.

Telegrafi: Tani që po zhvillohet edicioni i tretë i BBVA. A po e ndiqni dhe si po të duken banorët? Kë sheh fitues apo finalist?

Ilir Shaqiri: Është një edicion shumë i veçantë sepse vatrat e zjarrit dhe personazhet që i krijojnë janë disa. Nuk është një duo i situatës ose një person ku të gjithë rrotullohen rreth tij. Është më i përqendruar si vëmendje. Kam thënë për ata që njoh – nuk i njoh të gjithë – dhe kam parashikuar që kur doli lista e parë, unë shihja dy finalistë, por kjo ishte vetëm njohje e mëparshme, jo për atë që po bëjnë në moment. Për momentin, kjo shtëpi ka disa protagoniste. Por një duo shumë i fortë që unë mendoj se do të përplasen më vonë, është Romeo dhe Juli. Mendoj se janë dy njerëz shumë protagonistë në jetën e tyre dhe do të vijë momenti që të përplasen shumë fort dhe mendoj se në finale mund të jenë ata të dy. Pa përjashtuar surprizat, sepse vajzat po luftojnë shumë fuqishëm dhe deri tani janë protagonistet absolute të jetës në BBVA. Publiku nuk duhet të fokusohet te debatet që ndodhin aty, por te vlera që shtëpia jep dhe se sa i duhur është mesazhi që transmetohet. Sepse të kesh konflikte është shumë e thjeshtë; të jesh i keq, bëhesh për një ditë. Të jesh i mirë, duhet një jetë…

Ilir Shaqiri, fitues i edicionit të parë të Big Brother VIP Albania (Foto: VanityClass)

Telegrafi: Çfarë ndryshimesh dhe zhvillimesh keni vërejtur në industrinë e baletit në Shqipëri gjatë viteve të karrierës suaj?

Ilir Shaqiri: Industria e baletit, si çdo gjë tjetër në Shqipëri, ka ecur përpara. Industria ka avancuar në termat e biznesit, me një larmi punësh në të cilat mund të angazhohet balerini në krahasim me periudhën e mëparshme (20-30 vjet më parë), por cilësia ndoshta nuk është në nivelin e 20-30 viteve më parë. Duke qenë se sot ka shumë punë, janë improvizuar shumë balerinë të rinj, dhe ka shumë prej tyre që, në vend të 8-10 viteve të formimit që duhet të ketë një balerin, janë formuar në 1, 2 ose 3 vite studimi. Ky fenomen ndodh kudo, po ashtu edhe në Itali dhe në botën e artit në përgjithësi. “Dancing With The Stars” e kam realizuar për shtatë edicione rresht në kanalin Vizion+, gjithmonë me patentën e BBC-së dhe me producenten Holta Dulakun, një super producente që solli dhe mbajti shtatë edicione të këtij super spektakli. Edhe Top Channel është një media që, siç e kam thënë, ka përmasa të MediaSet, sepse kujdeset për çdo detaj të spektakleve televizive. Roli im ka qenë shumë i rehatshëm, pasi e kam bërë shpesh në Itali si anëtar i jurisë dhe nuk e kam problem të jap nota, qoftë të mira apo të këqija. Thjesht i jap secilit atë që meriton.

Telegrafi: Cilat janë planet tua për të ardhmen?

Ilir Shaqiri: Kam disa projekte shumë të rëndësishme. Duke nisur nga muaji shkurt, do të jem prezent në “Dance in Fiera”, kompeticioni ose panairi më i madh në Itali për sa i përket kërcimit. Kam për detyrë të zgjedh talente për të marrë pjesë në eventin e tretë që organizohet në Tiranë në shkollën e baletit në bashkëpunim me drejtoreshën Blerina Arbana dhe biznesmenin italian Vincenzo Macario. Eventi quhet “United Dance Albania – Inspirimi përmes lëvizjes” dhe do të mbahet më 22-28 korrik në Shkollën e Baletit. Një tjetër event i rëndësishëm është “Rome Dance Competition” në Romë, ku do të kombinohen tre evente në një: “I Love Dance”, “Rome Dance Competition”, dhe një event tjetër “Urba” që do të zhvillohet pikërisht në këtë vikend, ku do të ketë break dance, hip hop dhe të tjera. Ka edhe një projekt tjetër shumë të veçantë lidhur me talentet shqiptare, por nuk mund të zbulohet ende. Do vijë shumë shpejt në Top Channel.

Ilir Shaqiri (Foto: Ilir Shaqiri/Instagram)

Telegrafi: Ju njohin si personazh televiziv. Por si është Iliri në jetën private. Një ditë e zakonshme e juaja në përditshmëri?

Ilir Shaqiri: Në jetën e përditshme, Iliri është një njeri shumë i thjeshtë që merret me shumë gjëra, nga krasitja e pemëve e deri te peshkimi. Ka pasione të ndryshme nga kafshët e deri te teknologjia dhe është gjithmonë i përkushtuar që të mos rri “vend e numëro”, moto e jetës sime që kam shfaqur gjithmonë me sinqeritet.

Telegrafi: Thënia juaj e jetës?

Ilir Shaqiri: Thënie të jetës sime janë disa, por unë preferoj atë që është bërë moto e jetës sime: “Shiko përpara, pa harruar kurrë të kthehesh pas”.

Telegrafi: Ilir, faleminderit shumë që ishit pjesë e kësaj interviste. Për fund, cili do të ishte mesazhi juaj për lexuesit e Telegrafit?

Ilir Shaqiri: Një përqafim nga zemra për të gjithë ndjekësit e Telegrafit dhe ju ectë gjithmonë mbarë. Të realizohen të gjitha ëndrrat tuaja dhe të shkëlqejë emri juaj kudo që jeni. Dhe gjithmonë mos harroni: me kokën lart! /Telegrafi/

Ilir Shaqiri (Foto: Ilir Shaqiri/Instagram)
Exit mobile version