Site icon Telegrafi

Nga Twitter bëjnë me dije se do ta padisin Elon Musk pasi ai tentoi të tërhiqet nga marrëveshja e blerjes

Mesazhi që Twitter e ka për Elon Musk pas tentimit të tij të tërheqjes nga marrëveshja e blerjes së kompanisë për 44 miliardë dollarë: do të shihemi në gjyq.

“Bordi i Twitter është i përkushtuar që të përmbyll transaksionin me çmimin dhe marrëveshjen e arritur më parë me Z. Musk, dhe planifikojnë që të ndërmarrin veprime ligjore për zbatimin e marrëveshjes së bashkimit mes tyre”, bëri të ditur shefi i Twitter, Bret Taylor, më pak se një orë pasi që ekipi ligjor i Musk deklaruan se ai donte të tërhiqej nga marrëveshja pas dërgimit të një dosje në Komisionin për Letra me Vlerë dhe Shkëmbim, raporton The Verge.

“Ne kemi besim se do të dalim triumfues në Gjykatën Civile të Delaware”, shkroi ndër të tjera në tweet-in e tij Z. Taylor, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Elon Musk i jep fund ofertës për ta blerë Twitter-in

Kur Musk dhe Twitter nënshkruan marrëveshjen fillestare, dy palët ranë dakord që të paguajnë një tarifë të shkëputjes së marrëveshjes prej 1 miliard dollarëve, në rast se ndonjëra prej palëve tërhiqej për ndonjë arsye specifike.

Musk ra dakord që të paguante tarifën në rast se ai nuk mund të arrijë të sigurojë fondet që nevojiten për të përfunduar blerjen – gjë të cilën ende nuk ka arritur që ta bëjë.

Ndërsa në anën tjetër drejtuesit e Twitter ranë dakord që të paguajnë këtë tarifë në rast se ata gjejnë ndonjë blerës tjetër, ose në rast se bordi i kompanisë rekomandon që aksionarët të votojnë kundër ofertës së Musk. /Telegrafi/

Exit mobile version