Xhudistët Akil Gjakova, Nora Gjakova e Distria Krasniqi të shtunën do të paraqiten në turneun "African Open" që mbahet në Tunis.
Gara në Tunis është e para e vitit për xhudistët dhe vie pas një faze përgatitore që ata e zhvilluan në Slloveni e Austri. Trajneri Driton Kuka dhe nxënësit e tij të enjten kanë udhëtuar për në Tunis, shkruan sot Koha Ditore.
Një vit më parë, Nora Gjakova në Tunis doli e para dhe kështu paralajmëroi një vit të suksesshëm të saj. Viti kulmoi me medaljen e bronztë në Lojërat Evropiane që ishte suksesi më i madh sportiv i Kosovës në vitin 2015.
Gjakova fitoi 100 pikë në ranglistën olimpike dhe 100 pikë eventuale do të ishin shumë të vlefshme për ta mbajtur këtë xhudiste në zonën që i siguron normën për Lojërat Olimpike "Rio 2016".