Telegrafi

Nga tritoli te vrasjet, çfarë dihet deri tani për atentatin me tre viktima në Memaliaj

Një ngjarje e rëndë tronditi mesnatën e së shtunës qytetin e vogël të Memaliaj në Tepelenë.

Tre të vrarë dhe një i plagosur në gjendje të rëndë është bilanci i një atentati të ndodhur në orën rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme në një lokal në lagjen nr.3 pas godinës së Bashkisë Memaliaj.

Shënjestër e atentatit ka qenë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit, i cili nuk i mbijetoi dot plumbave.

I plagosur ka mbetur Artur Kalemi, xhaxhai i Andrea Kalemit. Viktima, Shyqyri Kalemi, është babai i Adriatik dhe Zamir Kalemit, të afërm të Aleksandër Sadikajt të vrarë me eksploziv në Tiranë në korrik 2022.

Po ashtu, viktima kanë mbetur kamerieri 36-vjeçar, Gledio Muka dhe klienti 47-vjeçar, Marsel Çela, dy viktima të pafajshme të cilët kanë qenë në lokal në momentin e ngjarjes.

Dyshohet se autorët kanë qenë të paktën 3 persona, të cilët kanë ardhur me makinë të zezë nga qyteti i Memaliajt në drejtim të lokalit. Një prej tyre ka zbritur nga mjeti dhe ka qëlluar me breshëri në drejtim të Shyqyri Kalemit, i cili ishte ulur në një tavolinë jashtë lokalit.

Plumbat kapën dhe vëllanë e tij, si edhe kamarierin Gledian Muka që ishte pranë tavolinës. Ndërkohë, klienti, Marsel Çela që mbeti i vdekur, ka qenë brenda në lokal.

Pas atentatit, autorët janë larguar në drejtim të Mallakastrës, ku në fshatin Bejaj kanë djegur makinën me të cilën kryen atentatin.

Historia e konfliktit

Adriatik Kalemi, dyshohet të ketë qenë personi për shkak të të cilit ndodhi atentati në Memaliaj pak përpara mesnatës, si shkak i hasmërive të mëparshme.

Biznesmeni Kalemi në vitin 2001 ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet belge, pasi akuzohej bashkë me vëllain e tij për vrasjen e Mevlan e Adriatik Çaçës.

Ai ka qenë i dyshuar gjithashtu për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në Tiranë. Atentat ky i ndodhur në dhjetor të vitit 2022, i cili dyshohet se u vra per hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt.

Sadikaj është vrarë në qershor të 2022 me shpërthim eksplozivi në autostradën Tiranë – Elbasan.

Vetë Adriatik Kalemi raportohet se i ka shpëtuar dy atentateve në Greqi. Fillimisht ai i shpëtoi një atentati ishullin Paksos ku ishte me pushime.

Atentati i dytë ndodhi në momentin që Kalemi po përgatitej të linte burgun për të fituar lirinë, pasi u ndalua për shkak të problemeve që kishte me drejtësinë. Ai u qëllua me thikë nga një i burgosur nga Egjipti.

Ndërsa në Janar të këtij viti në Unazën e Tiranës iu be atentat nga nje makinë në lëvizje vëllait të Adriatik Kalemit, Zamir Kalemit i cili po lëvizte me një makinë smart. Nga kjo ngjarje ai mbeti i plagosur./Euronews Albania