Site icon Telegrafi

Nga temperaturat e larta në Mitrovicë, për 24 orë kërkuan trajtim mbi 100 fëmijë (Video)

Moti i nxehtë dhe temperaturat e larta të paralajmëruara për ditën e sotme, kanë rritur numrin e pacientëve për kontrolle në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë.

Qytetarët në këto ditë të nxehta ankohen më së shumti në temperaturë, vjellje, tension dhe të ngjashme, ndërsa mjekët rekomandojnë qëndrim në hapësira të mbyllura, dhe mos ekspozim të drejtpërdrejtë në diell, duke shmangur daljen jashtë prej orës 11:00 deri në orën 17:00.

Një qytetare e Mitrovicës që kishte sjellur djalin për trajtim në QKMF, tha se djali i saj që dy ditë ka temperaturë të lartë, kokëdhembje dhe vjellje.

Gjatë 24 orëve të fundit kanë kërkuar trajtim mbi 100 fëmijë në repartin e Mjekësisë Familjare. KosovaPressi ka mësuar jozyrtarisht se këtë repart deri në orën 14:00 e kanë vizituar mbi 80 pacientë. Në anën tjetër, Sylejman Uka, doktor në repartin e Emergjencës, shprehet se temperaturat e larta ditëve të fundit kanë shtuar numrin e pacientëve. Sipas tij, veç pacientëve me helmime, ndihmë kërkojnë edhe pacientët tjerë të cilët janë me sëmundje kronike. Ai ka rekomanduar qytetarët, në veçanti pleqtë, të rinjtë dhe shtatzënat, të mos i ekspozohen temperaturave të larta, sidomos prej orës 11:00 deri në orën 17:00, por sa më shumë të qëndrojnë në shtëpi dhe të përdorin sidomos ujë.

Edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka apeluar për kujdes, pasi sot temperaturat do të jenë deri në 35 gradë Celsius. /KP/

Exit mobile version