Ai qe një djalosh i ri me pamje ëngjëllore, dhe një kriminel që i pëlqenin substancat që manipulonin mendjen. Duke kërkuar një qëllim në jetë, ai gjeti një kauzë për të vrarë, duke vënë në shënjestër vendin e vet. Ishte shumë eksituese për t’i rezistuar. Shumë nga shokët e tij iu bashkuan. Karriera e tij kulmoi me një mësyjme të fshehtë në Francë, nën sytë e forcave të sigurisë.
Kjo është historia e Salah Abdeslam, shefi i logjistikës së sulmeve terroriste të nëntorit të shkuar në Paris.
I kapur në Belgjikë muajin e kaluar, ai do të gjykohet në Francë. Por kjo është edhe historia e Gi Byrges, një nga agjentët sovjetikë të rekrutuar në Kembrixh në vitin 1930. Byrges vinte nga maja e shoqërisë dhe u dashurua me komunizmin, ndërsa Abdeslam erdhi nga fundi dhe përqafoi ISIS-in. Megjithatë, të dy burrat janë shumë të ngjashëm, shkruan Financial Times.
Historia e Byrges dhe brezit së tij, mund të profetizojë rrugën e rekrutëve të sotëm të Shtetit Islamik. Disa ditë pas sulmeve në Paris, Olivie Rua, një dijetar francez mbi Islamin, mbajti një fjalim me titull “Cila është forca lëvizëse që qëndron prapa terrorizmit xhihadist?”. Shumë nga argumentet e tij, gjejnë zbatim sa tek spiunët e Kembrixhit, ashtu edhe për xhihadistët.
Fillimisht, thotë Rua, “Bashkohen vetëm të rinjtë”. Abdeslam ndoshta u bë pjesë e ISIS-it kur ishte 24-vjeç; Byrges iu bashkua KGB-së në moshën 23-vjeçare. (Dy biografi të shkëlqyera të Byrges janë publikuar muajt e fundit, “Anglezi i Stalinit” dhe “Spiuni që njihte gjithëkënd”)
Si Byrges ashtu dhe Abdeslam ishin figura të alienuara, dhe në kërkim për një kauze në jetë. Ashtu si Abdeslam që mendonte se nuk i kishte përkitur kurrë Belgjikës, edhe Byrges e shihte klasën e tij shoqërore, si të shkëputur nga një Britani të grimcuar nga Depresioni i Madh.
Në vitin 1934 ai u bashkua marshimit të mijëra grevistëve në Londër, edhe pse udhëtonte me tren dhe i veshur me kravatën e tij e vjetër itoniane. Homoseksualiteti i tij, ndoshta i krijoi një distancë shtesë nga shoqëria e tij; është interesante se edhe Abdeslam, frekuentonte në Bruksel bare homoseksualësh, sipas dëshmirë së vetë banakierëve atje, transmeton Bota.al.
Të dy burrat kishin shije për substanzat intoksikuese:Byrges kryesisht dehej, ndërsa Abdeslam dhe vëllai i tij frekuentonin një bar, që u mbyll vitin e kaluar për shkak të shitjes së drogës. Byrges gjeti tek komunizmi atë që Abdeslam gjeti tek Islami:një teori të plotë të botës, dhe kauzën e madhe globale. Versionet e tyre të këtyre kredove, mund të shpjegohen dhe përvetësohen në rreth 20 minuta.
Askush nuk konvertohet i vetëm. “Është një dukuri grupi”, shkruan Rua. “Ata radikalizohen në kuadrin e një rrjeti të vogël miqsh”. Rrjeti i Abdeslam ishte Molenbeku në Bruksel. Byrges gjendej në Kembrixh:në fillim të viteve ’30, shkruan bashkëkohësi i tij Xhulian Bell. “Një pjesë shumë e madhe e studentëve më inteligjente janë komunistë apo thuajse komunistë”.
Sot, terrorizmi xhihadist, duket të ketë një kontroll të ngjashëm tek të rinjtë e Molenbekut. Edhe brenda këtyre rrjeteve radikale, Byrges dhe Abdeslam lëvizën në qarqet kryesisht radikale. Kolegj i Byrges, Trinity, prodhoi 4 persona të njohur të Kembrixhit, që u bënë agjentë të sovjetikëve; i pesti, Donald Meklin, vinte nga kolegji pranë Trinity Hall.
Abdeslam u radikalizua së bashku me vëllain e tij Brahim, dhe u rekrutua nga miku i tij i fëmijërisë, dhe pak më i madh në moshë, Abdelhamid Abaud. (Mentori pak më i madh në moshë për Byrges ishte Arnold Dojç.) ISIS-I dhe KGB-ja kanë patur joshjen e shoqerive sekrete që janë duke ndryshuar botën. Rekrutët e sotëm të xhihadit ndjehen, në mënyrë iluzore, se i janë bashkuar “një vëllazërie të vogël të superheronjve”- shkruan Rua.
Në mënyrë të ngjashme, Kim Filbi kujton se pasi ai dhe Meklin u bënë agjentë sovjetikë, miku i ngushtë i tyre Byrges mendonte “se ishte duke u përjashtuar nga diçka ezoterike dhe eksituese”. “Kështu që ai filloi të na motivojë, dhe askush nuk mund të nxiste në mënyrë më efektive se Byrges”.
Burrat e Kembrixhit ishin të brendshëm që mund t’u jepin informacione sovjetikëve. Xhihadistët e Molenbekut janë të jashtëm, kësisoj ata mund t’i ofrojnë Shtetit Islamik vetëm dhunën. Ashtu si xhihadistët e sotëm, spiunët e Kembrixhit hodhën poshtë traditat e parardhësve të tyre. Anëtarët e vjetër të univesitetit në Britaninë e viteve ‘30 nuk ishin komunistë, ndërsa edhe myslimanët e vjetër evropianë nuk janë xhihadistë: të konsiderosh terrorizmin si një pjesë të natyrshme të Islamit, është po aq e gabuar sa të poshoh se komunizmi qe i natyrshëm tek shtresa e lartë në Britaninë e paraluftës së dytë botërore.
Karriera e spiunazhit për Byrges përfundoi në vitin 1951, kur ai dhe Meklin u larguan nga Britania e Madhe për në Paris, dhe prej andej shkuan në Moskë. Abdeslam u drejtua për në Bruksel natën e sulmeve në Paris. Byrges zbuloi shpejt se Bashkimi Sovjetik qe një vend i tmerrshëm, dhe helmoi veten për vdekje në vitin 1963.
Shumë burra në Kembrixh e braktisën kredon komuniste, edhe para nënshkrimit të paktit nazisto-sovjetik të vitit 1939. Duke pasur parasysh komunikimin e shpejtë në kohët e sotme, dhe dobësinë ushtarake të ISIS-it, kredoja e re duket të dështojë së shpejti. Shumë luftëtarë të huaj që udhëtuan për në “Kalifatin” e Shtetit Islamik, kanë zbuluar se ai është një vend i tmerrshëm. Ndërkohë, xhihadistët mund të shkaktojnë dëme të tmerrshme.
Dhe pasi të përfundojë epoka e tyre, mos prisni që të mbërrijë paqja. Disa të rinj gjithmonë do të kërkojnë kënaqësi në vrasjen për ndonjë kauzë (kujtojmë ngazëllimin e madh europian kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore), dhe ka gjithmonë një kauzë të re për të vrarë në emër të saj.