Mjeku i Emergjencës së Spitalit Rajonal të Pejës, Mit’hat Jakupi, ka folur për gjendjen shëndetësore të katër personave që sot u plagosën me armë zjarri në qendër të qytetit. Ai tha se dy nga katër të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe se janë dërguar në Qendrën e Klinikës Universitare të Kosovës.
“I kanë sjellë katër të lënduar, prej të cilëve dy më rëndë. Pas përfundimit të rëntgenit e ultra-zërit, dy i kemi dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë”, tha Jakupi. “Ka shumë plumba. Njëri ka plumbin në kokë, kështu sipërfaqësisht, jo në tru; tjetri në shpinë, tjetrën dorë me gjakderdhje”.
Po ashtu, Jakupi tregoi edhe për gjendjen shëndetësore të dy të miturve, të cilët kishin pësuar plumbat ndërkohë që ishin kalimtarë rasti.
“Një fëmijë është lënduar në këmbën e majtë. Është pranuar në Ortopedi, ka shumë predha të plumbit. Ato ndërkohë do t’i trajtojmë. Një vajzë tjetër e rritur. Ajo ka pasur veç një gërvishtje”, tha mjeku. /kallxo.com/