Telegrafi

Nga sot zhdoganimi do të merr kohë vetëm pesë minuta

Tashmë qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të presin me ditë të tëra në pikat doganore. Brenda pak minutash bizneset do të mund të kalojnë mallrat e tyre, pa pas nevojë për kontrolle të thella në pikën kufitare në Vërmicë.

E kjo, falë transitit të përbashkët që u bë mes doganës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Krerët e të dy shteteve, thonë se kjo do të lehtësoje punën e qytetarëve dhe bizneseve në përgjithësi, të cilat deri tani kanë pritur me ditë të tëra në pikat doganore.

E sipas drejtorëve te të dyja doganave, qëllimi i këtij inaugurimi nuk është vetëm që të shkurtohen procedurat e zhdoganimit, por edhe të ulet kostoja nga e cila do të përfitojnë drejtpërdrejtë bizneset.

Në ceremoninë e inaugurimit të transitit të përbashkët doganor Kosovë-Shqipëri, të pranishëm ishin kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama.

Shefi i Qeverisë së Kosovës, bashkëpunimet e tilla i quajti si shprehje e lidhjes dhe mos ekzistimit të kufijve mes dy vendeve. “Bashkëpunimi ynë ekonomik, i përcjellë me bashkëpunimin në fusha të tjera, do të jetë shprehje e lidhjes sonë, shprehje e mos ekzistimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe shprehje e synimeve tona për tu integruar në Bashkimin Europian dhe të gjitha interesat tona të përbashkëta t’i arrijmë si pjesë e familjes së madhe europiane”, tha ai.

Mustafa tha, se në këtë mënyrë do të mundësojnë të përfitojë efiqienca në fushën e tatimeve dhe në fushën e doganave, sepse siç tha ai, do të bëhet shumë më efiqiente kjo punë e doganimit, përkatësisht zhdoganimit, e edhe një rezultat më i madh sa i përket luftimit të evazionit fiskal dhe përfitimit të procedurave të përgjithshme të efikasitetit në fushën e politikave fiskale, për të cilat, Mustafa tha se, janë shumë të interesuar t’i bëjnë bashkërisht.

Por, ky transit nuk do të ndihmojë vetëm në shkurtimin e kohës së procedurave të zhdoganimit, por edhe në uljen e kostos.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se kështu po i japin fund një kapitulli vonesash e pengesash për sipërmarrjen që punon në të dy anët e kufirit.

“Po i japim fund një kapitulli vonesash, pengesash dhe nganjëherë edhe zvarritjesh, për sipërmarrjen që punon në dy anët e kufirit dhe që ka nevojë për këtë pikë shërbimi, jo për tu vonuar por për ta pasur si pikë kalimi pa asnjë ngarkesë kohe dhe burokracie. Nga sot, nuk janë dy ditë, e nganjëherë edhe më shumë se dy ditë vonesat për të kaluar mallin nga njëra anë në tjetrën por mjaftojnë vetëm pesë minuta. Kufijtë janë pika bashkimi dhe jo vija ndarjeje, hapësira mundësish dhe jo mundësi për pengesa të shtuara, kjo ka qenë bindja jonë që kur u angazhuam në një bashkëudhëtim përtej kufijve për bashkimin kombëtar dhe europian më Kosovën”, Rama.

Marrëveshja për transitin doganor Kosovë-Shqipëri, është arritur në takimin e përbashkët të dy qeverive në Prizren. Qeveria e Kosovës. shpreson se marrëveshje të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. /Telegrafi/