Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar se nga sot do të jetë në funksion ujësjellësi për fshatrat e komunës.
Këtë vendim thotë se e kanë marrë pas takimit me Shtabin për Menaxhimin e Emergjencave dhe me rekomandimet e IKSHPK-së.
Luten të gjithë qytetarët e Komunës së Deçanit të zbatojnë kriteret e poshtëshënuara për përdorimin e ujit:
1.Uji të shfrytëzohet vetëm për nevoja sanitare!
2.Uji për nevoja të amvisërisë rekomandohet të përdoret vetëm pasi të vlohet!
Këto kritere zbatohen deri në një vendim tjetër.
Ndërkaq, helmimi i qindra qytetarëve në Deçan ka bërë që kjo komunë të shpallë gjendje emergjente.
Gjatë ditës, udhëheqësit e institucioneve që kanë vizituar pacientët e shtrirë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, kanë bërë thirrje për hetim sa më të shpejtë të këtij rasti.
Paraprakisht sipas të dhënave zyrtare, shqetësime u shfaqën nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shëndetësisë, nga dita e shtunë e deri më sot në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan kanë kërkuar ndihmë shëndetësore rreth 1 mijë pacientë, ndërsa qindra prej tyre i kanë simptomat e njëjta të helmimit.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.
Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende./Telegrafi.