Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) në orët e vona të së premtes (sot) pritet t’i japë fund procesit të ndërkombëtarizimit, i nisur më 1991.
Sipas pritjeve të vendorëve e ndërkombëtarëve, Kosova do të bëhet anëtarja e 210-të e FIFA-s gjatë Kongresit që nisi të enjten e do të mbarojë sot në Meksikë.
Bashkë me këtë vendim Kosova pritet të marrë edhe shumë të mira të tjera, si për shembull të drejtën për pjesëmarrje në kualifikimet për Botërorin “Rusia 2018”, që nisi në shtator.
Por, me vendimin për të pranuar Kosovën në FIFA, FFK-së pritet t’i hiqen edhe disa të këqija – si ylli dhe kushtëzimet e tjera, shkruan Koha Ditore.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll në dhjetor të vitit 2013 fitoi të drejtën të luajë ndeshje miqësore ndërkombëtare, por me shumë kushtëzime, si të paraqitej pa simbole shtetërore dhe me një yll (fusnotë) në fanella, përskaj fjalës Kosova.
Fusnota ishte rezultat i rezistencës serbe brenda FIFA-s dhe rrjedhojë e marrëveshjes politike Kosovë – Serbi, për përfaqësim ndërkombëtar të Kosovës. Kishte domethënien: “Pa paragjykim në qëndrimet për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 dhe me mendimin e GJND-së për Deklaratën e Kosovës për Pavarësi”.