Pas disa javësh në arrati, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, është dorëzuar vet në Qendren e Paraburgimit në Prishtinë.
Nga shoqëria civile thonë se mandati i deputetit Arifi është anuluar dhe se kjo gjë e vështirëson punën e shumicës parlamentare.
Deputeti i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Etem Arifi, është vet dorëzuar në Qendrën e Paraburgimt në Prishtinë. Këtë e ka konfirmuar edhe Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaci. Arifi ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione.
Arbresha Loxha, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike thotë se në bazë nenit 70 të Kushtetutës mandati i deputetit Arifi është anuluar.
“Mandati i deputetit bëhet i pavlefshëm nëse ai/ajo dënohet për vepër penale me vendim të gjykatës së formës së prerë me një dënim prej më shumë se një vit burg. Në rastin e zotit Arifi, pika 3.6 e anulon mandatin e tij në mënyrë automatike”, deklaroi Arbresha Loxha.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se burgojsa e deputetit Arifi, vetëm sa do të vështirësojë punën e shumicës parlamentare, përcjell Telegrafi.
“Fakti se deputeti Arifi tashmë është në vuajtje të dënimit, qeveria do të ketë më të vështirë të sigurojë kuorumin por edhe të sigurojnë votat e nevojshme për të siguruar shumicë më të kualifikuar parlamentare, qoftë me 61 vota apo ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare ku kërkohen së paku 2/3 e votave të Kuvendit”, deklaroi Eugen Cakolli.
Dita e fundit kur Arifi ishte i pranishëm në Kuvendin e Kosovës, ishte data 3 qershor, ku edhe u votua Qeveria Hoti.
Për pjesëmarrjen në votim të deputetit Arifi si dhe ligjshmërinë e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese./RTV Dukagjini/Telegrafi/