Telegrafi

Nga shoqëria civile flasin për përgjimet e reja: “U tregua se Prokuroria dhe Sistemi Gjyqësor janë të ndikuara nga grupe të interesit”

Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, është shkarkuar sot pas audio-incizimeve të publikuara në media, të cilat e implikojnë atë në raste të ndryshme të ndikimit te personat e caktuar nëpër institucione.

Ylli Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se përgjimet kanë nxjerrë në shesh ato që janë thënë ndër vite.

“Ne gjatë monitorimeve tona kemi thënë se Prokuroria e Shtetit dhe sistemi gjyqësor janë të  ndikuara nga grupe të ndryshme të interesit…Përgjigja e shtetit deri më tani ka qenë e brishtë ”, tha Zekaj në RTV Dukagjini.

Zekaj thotë se opinion publik duhet të jetë i njoftuar me ecurinë e proceseve të mëtejme pasi sipas tij këto përgjime ndikojnë në besimin e qytetarëve të sistemi i drejtësisë, përcjell Telegrafi.

Pjesëtari i shoqërisë civile thotë se këto përgjime kanë nxjerrë në pah edhe njëherë procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë.

“Duhet të ketë një sistem të thellë të Vettingun në sistemin e drejtësisë së Kosovës, pasi i vetmi ky proces do ta pastronte sistemin prokurorial dhe sistemin gjyqësorë nga personat që kanë mungesë të profesionalizmit”, tha ndër të tjera Ylli Zekaj nga IKD./Telegrafi/