Me rastin e fillimit të Javës së Ndërgjegjësimit kundër kancerit të qafës së mitrës, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje të gjitha vajzave të marrin vaksinën me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes kundër kësaj sëmundje malinje.
Kjo vaksinë nga muaji shkurt do të hyjë në kalendarin e rregullt të vaksinave në Kosovë, e ku do të vaksinohen vajzat që nga mosha 12 -vjeçare.
Në një tryezë diskutimi, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se testet e rregullta, duke përfshirë PAP testin dhe vaksinën kundër papilloma virusit, janë ndër intervenimet kryesore parandaluese të cilat duhet fuqizuar e shfrytëzuar krahas trajtimit cilësor shëndetësor të të prekurave.
Ai shtoi se kanë siguruar rreth 15 mijë doza të vaksinës kundër papilloma virusit, derisa shtoi se që nga mesi i muajit shkurt do të fillojë vaksinimi i të gjitha vajzave të klasave të gjashta në gjithë vendin, për çka u bëri thirrje prindërve t’i përgjigjen pozitivisht vaksinimit.
“Testet e rregullta si PAP testi dhe vaksina kundër papilloma virusit janë sot për sot intervenimet kryesore parandaluese, të cilat natyrisht se duhet t’i fuqizojmë e shfrytëzojmë krahas trajtimit cilësor e shëndetësor të të prekurave. Këto teste janë të lehta dhe të arritshme, kryhen në institucionet tona shëndetësore publike dhe mund të shpëtojnë jetën e dhjetëra e ndoshta qindra vajzave të reja dhe grave…Jemi duke bërë hapa konkret në trajtimin e çështjes së kancerit të qafës së mitrës. Bordi për kontroll të kancerit është drejt finalizimit të programit nacional për kontroll të kancerit, ku kanceri i qafës së mitrës do të ketë vëmendjen e merituar krahas kancerit të gjirit, kancerit kolorektal dhe kancereve të tjera që janë identifikuar si problematika të mëdha…
Në hartimin e këtij programi, përveç Ministrisë së Shëndetësisë janë përfshirë edhe profesionistët më të mirë të fushës dhe hisedarë të tjerë…Kemi siguruar tanimë edhe 15 mijë doza të vaksinës kundër HPV-së, duke filluar nga mesi i muajit shkurt në pajtim me planin e veprimit fillojmë vaksinimit e vajzave të klasave të 6-ta në të gjithë vendin tonë”, tha Vitia.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se sëmundjet malinje e në veçanti kanceri i qafës së mitrës janë një sfidë e vërtetë për institucionet shëndetësore, shoqërinë tonë, shëndetin e grave dhe të gjithë atyre që preken nga këto sëmundje.
Ai shtoi se në Kosovë kanceri i organeve gjenitale femërore paraqet kancerin e dytë më të shpeshtë në mesin e kancerit të femrave, dhe të katërtin nga shpeshtësia në mesin e të gjithë grupeve të kancerit.
Po ashtu, edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShPK), Naser Ramadani tha se qëllimi i shënimit të javës botërore kundër kancerit të qafës së mitrës është sensibilizimi i qytetarëve, punëtorëve shëndetësorë dhe vendimmarrësve lidhur me këtë sëmundje, duke përfshirë edhe mënyrën e parandalimit.
Ai shtoi se java botërore e kancerit të qafës së mitrës është një mundësi për të reflektuar mbi progresin e bërë deri më sot dhe për të rritur ndërgjegjësimin për sfidat që mbeten për të arritur në përfundimin e kancerit të qafës së mitrës.
“…. Për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, Ministria e Shëndetësisë me rekomandim të Institutit Kombëtar ka siguruar vaksinat për virusin e papillomës humane që tani është vendosur në kalendarin e rregullt të vaksinimit. Nga muaji shkurt 2024 fillon vaksinimi i vajzave 12-vjeçare për mbrojtjen nga kanceri i qafës së mitrës”, tha Ramadani.
Java e Parandalimit të kancerit të qafës së mitrës është një fushatë evropiane, e cila ka si qëllim të rrisë sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit të qafës së mitrës te gratë.
Shoqata Evropiane e kancerit të qafës së mitrës që nga viti 2002 ka nisur organizimin e kësaj fushate, ndërkaq prej vitit 2007, Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës organizohet çdo vit në javën e fundit të janarit. /KP/Telegrafi/