Site icon Telegrafi

Nga qepët tek patatet, Kosova shpenzoi dhjetëra miliona euro për import

Raporti mes eksportit dhe importit në Kosovë lë shumë për të dëshiruar.

Edhe vitin që lamë pas, vendi ynë shumë më tepër importoi produkte se që eksportoi.

Eksportet e Kosovës në vitin 2023 ishin rreth 820 milionë euro, derisa importet ishin 5.77 miliardë euro.

Por befasuese është se Kosova vazhdon të importojë gjatë vitit edhe sasi të konsiderueshme të pemëve dhe perimeve, për kultivimin e të cilave në vijimësi ofrohen subvencione dhe grante.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës të cilave u është referuar Instituti GAP, gjatë vitit që lamë pas vendi ynë ka importuar rreth 12 milionë euro domate.

Po sipas këtyre të dhënave, për importimin e patateve, janë paguar 6.3 milionë euro.

Lexo po ashtu Në Maqedoni të Veriut eksportojmë më së shumti, nga Turqia importojmë - partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës në 2023

Edhe për qepë dhe molla, të cilat kultivohen mjaft shumë edhe në Kosovë, janë shpenzuar shifra të mëdha parash.

Derisa për importimin e mollëve nga vendet e rajonit e më gjerë janë shpenzuar 5.6 milionë euro, për qepë u shpenzuan 4.8 milionë euro.

Kosova importoi edhe rrush gjatë vitit 2023, pavarësisht që vendi ynë njihet për kultivimin e rrushit cilësor.

Plotë 3.4 milionë euro u shpenzuan për importin e rrushit, referuar të dhënave të Doganës së Kosovës.

Mbi 2 milionë euro u shpenzuan edhe për importin e kumbullave, derisa disa qindra mijëra euro u dhanë për të sjellë në Kosovë kumbulla, qershi, hudhra e luleshtrydhe./Telegrafi/

Exit mobile version