Gigio Donnarumma ishte i përzgjedhuri, pasi pritet që të lërë shenjën e tij në histori si portier për 10 apo 15 vitet e ardhshme. Sikurse edhe agjenti i tij, Mino Raiola, një mjeshtër i tratativave, që mbron deri në fund interesat e tij vetjake, por edhe ato të të asistuarve të tij.
Ndjenjat e tifozëve, në këtë pikë, nuk vlejnë më aspak. Në këtë moment, irritimi i kujtdo që e ka Milanin në zemër ka pushtuar rrjetet sociale, pasi e dinë mirë se sapo kanë humbur një kampion, i cili gjithsesi nuk do të bëhet kurrë një legjendë apo flamur i një ekipi. E thënë në gjuhë mondane, do të jetë thjesht një mercenar.
Irritimi, më së shumti është therës nga fakti se Donnarumma është një produkt i Milanellos, e nëse Milani po mendonte të rikthehej në majat e futbollit europian, me të në portë do të ishte më e thjeshtë.
Por Gigio dhe menaxheri i tij Raiola kanë zgjedhur një tjetër rrugë. Lamtumira e hidhur, gjithsesi nuk e fshin dot nga kujtesa periudhën prej një viti e gjysmë tepër entuziaste, ajo që përjetoi futbollisti me fanellën kuqezi të Milanit, në një moment jo nga më të mirët e historisë së Milanit.
“Ky është një fenomen, është i përzgjedhuri. Kam parë shumë pak lojtarë të tillë, e nëse më del dikush përpara syve si ky, do ta aktivizoja si titullar padiskutim”. Ky ishte përkufizimi i Sinisa Mihajloviç, trajneri serb që nisi aventurën e tij në pankinën e Milanit gjatë sezonit 2015-2016, kohë kur katërkëndëshin e mbronte Diego Lopez, por që kishte një dëshirë të çmendur për ta aktivizuar si titullar fenomenin.
Momenti për Gianluigi Donnarumma, i cili ka qenë te të rinjtë e Milanit nga kategoria “Giovanissimi” në vitin 2013, për të kaluar më pas te “Primavera”, erdhi pikërisht pas një ndeshjeje Torino-Milan, gjatë së cilës Mihajloviç mbeti i pakënaqur nga Lopez.
Të dielën pasuese, Sinisa konfirmonte se kishte një personalitet të palëkundur përpara presioneve, duke i dhënë mundësinë të luante si titullar ndaj Sassuolos 16-vjeçarit Donnarumma. Ata që e kritikuan ishin të shumtë. “Po, a mos po rrezikon ta diegësh si lojtar duke rrezikuar kaq shumë”, thonin disa.
Ndeshja e parë ishte tejet normale dhe nuk mbeti aq shumë në kujtesë. Shoku aktual i tij tek ekipi Shpresa i Italisë (U21), Berardi do ta ndëshkonte me një gjuajtje me të majtën. Megjithatë, zgjedhja e Mihajloviç ishte bërë tashmë dhe, prej atëherë, performancat e çmendura të një djaloshi kaq të ri do të befasonin cilindo. Si për reagimin e tij, ashtu edhe për hedhjet e jashtëzakonshme, që e kthyen atë në një garanci të kontestueshme në katërkëndëshin e Milanit.
Dita e parë monstruoze do të vinte në “San Siro”, kundër Atalantës. Ndeshja përfundoi 0-0, por vetëm për meritë të pritjeve të tij. Një javë më pas ndeshjet e çmendura do të bëheshin dy dhe nuk ishte një ndeshje dosido. Luhej në “Juventus Stadium” dhe, pavarësisht humbjes së kuqezinjve, i vetmi gëzim ishte pikërisht ai i ofruar nga portieri.
Edhe gjatë sezonit që lamë pas, impakti i portierit ishte vendimtar. Një pjesë e meritës për rikthimin në Europa League i përket atij. Pikët e siguruara prej tij, edhe pse nuk ishte një sulmues që të shpërthente portat kundërshtare, duket se janë të panumërta, por e sigurtë është se janë mbi 15.
Megjithatë, edhe gafat, ajo ndaj Pescarës më e rënda, nuk harrohen kollaj. Ndeshja simbol e tij, sigurisht ishte ajo në “Juventus Stadium”, kur Milani u bombardua për 97 minuta. Pritjet e tij ishin të jashtëzakonshme, duke pritur edhe ato raste që konsideroheshin të pamundura me fluturimet e tij. Por doli nga fusha i mërzitur për penalltinë që iu akordua Juventusit në kohën shtesë. Më pas, po të njëjtës skuadër i hoqi nga duart titullin e Superkupës së Italisë, në ndeshjen e luajtur në Doha të Katarit në dhjetor.
Edhe pse në dhoën e tij mban posterin e Kakà, e në fushë ka puthur shpeshherë fanellën e Milanit, duke dhënë idenë se dashuria për kuqezinjtë ishte e sinqertë dhe me rrënjë të thella, tashmë duket se gjithçka ka marrë fund.
Në futbollin e ditëve të sotme, vërtetohet edhe njëherë se nuk komandojnë më ndjenjat. Gigio duket pikërisht si një vajzë adoleshente që ëndërron dashurinë e madhe, e më pas martohet me një miliarder që e nxjerr shëtitje me jahte. Vetëm se ai është vetëm 18 vjeç, moshë që të lejon ende të ëndërrosh dhe të mos zgjohesh.