Telegrafi

Nga Prishtina thonë se po përgatisin ankesë ndaj FFK-së në CAS

Drejtori i Prishtinës, Artan Osmani, ka zbuluar në emisionin ‘Dueli Sportiv’ në RTV Dukagjini se janë duke përgatitur ankesë në CAS për moslicencimin nga Federata e Futbollit të Kosovës për garat evropiane në sezonin 2023/24.

Prishtina nuk mund të luajë edicionin e ardhshëm në garat evropiane, pasi para disa ditësh edhe Komisioni i Shkallës së Dytë refuzoi ankesën e klubit bardhë e kaltër.

Megjithatë, Osmani mendon se pas ankesës në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv do ta vlerësojnë më ndryshe këtë çështje.

Ai pati kritika të ashpra edhe për njerëzit që e përbëjnë Komisionin, të cilët sipas tij nuk kanë njohuri të trajtojnë lëndë të tilla.

‘’Jemi duke e përgatitur ankesën në CAS dhe unë jam shumë i sigurt që CAS-i do ta vlerësoj shumë më ndryshe.’’

‘’Nuk mundet të vlerësohet vetëm me një tik, por duhet të shtjellohen rrethanat dhe të analizohen gjërat. Unë mendoj që njerëzit që janë në Komision nuk kanë njohuri të trajtojnë lëndë të tilla,’’ tha Artan Osmani.